Z Mobile dhe Telekomi i Kosovës

Telekomi: Gjithçka rreth kontratës me Z-Mobile sqarohet nesër

Nesër, më 30 korrik, përfundon kontrata 10 vjeçare mes Telekomit të Kosovës dhe Dardafone për Z-Mobile.

Kallxo.com ka tentuar të marr përgjigje nga Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, nëse është hartuar një kontratë të re e cila i është propozuar Z-Mobile dhe cilat do të jenë kushtet e kësaj kontrate.

Por Istrefi nuk ka pranuar të flas në lidhje me këtë proces. Istrefi ka deklaruar se para 30 korrikut nuk guxon të deklarohet pasi për këtë është i obliguar sipas MSA-së.

“Sot është i 29-i, data 30 është nesër, para datës 30 asnjë informacion lidhur me procesin nuk guxoj me u deklaru për shkak se jemi të obliguar sipas MSA-së në mirëbesim se një fjalë me mu nxjerrë prej kontekstit që e plasoj për opinionin dhe mundet me i shkaktu dëme Telekomit në të ardhmen”, ka deklaruar Istrefi për Kallxo.com.

Dje, “RTK Live” ka publikuar informacionin se Telekomi i Kosovës i ka propozuar Z-Mobile një kontratë të re me kushte të reja. Sipas tyre, 80 për qind e fitimit do t’i takojë Telekomit dhe 20 për qind Z-Mobile, ndryshe nga kontrata e kaluar, nga e cila, 77 për qind i kanë takuar Z-Mobile dhe 23 për qind Telekomit të Kosovës. Gjithashtu, në artikullin e “RTK Live” thuhet se kohëzgjatja e kontratës së re do të jetë 3 vjet dhe jo 10 siç ka qenë kontrata e kaluar.

Istrefi është pyetur në lidhje me këto informacionet të publikuara nga “RTK Live” për kontratën e re, por ai ka thënë se shumë nga detajet e publikuara të kontratës nuk përputhen me gjendjen aktuale.

“Unë e pashë që RTK i kanë qitë po shumë sene sa më ka ra me i pa nuk përputhen me gjendjen faktike”, është shprehur Istrefi.

Nga ana tjetër, drejtuesit e sindikatës së punëtorëve në Telekom, kanë paralajmëruar që sot do të futën në grevë të përgjithshme për parandalimin e lidhjes së kontratës së re me “Z-mobile”, ku edhe do të kërkojnë nga gjykatat e vendit që mos të lejojnë ekzekutimin e vendimit të Arbitarzhit për përmbarim.

Borxhi milionësh dhe negociatat për kontratën

Ndërmarrja publike dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën “Z Mobile” bëhej operator virtual i Telekomit.

Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, këtë vit, 10 vite pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi rreth 26 milionë eurodh ndaj Z Mobile.

Më 4 maj të këtij viti kompania Z Mobile ka paralajmëruar kompaninë publike Telekom se do ta dërgojnë borxhin prej rreth 26 milionë euro në përmbarim.

Në atë situatë, Kryesuesja e bordit të Telekomit tha se borxhi mund të kushtëzojë edhe vazhdimin e kontratës me Z Mobile.

Më pas Z Mobile shtyu afatin për pagesë deri më 15 qershor 

Telekomi i Kosovës tani po synon të hyjë në kredi për të paguar borxhin ndaj biznesit të Blerim Devollit, Z-Mobile.

Arbitrazhi 

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.