Telat e Tensionit të Lartë, ‘Tensionojnë’ Fshatin

Tensioni i lartë i energjisë elektrike e ka detyruar Fatmir Currin nga Korretica e Epërme e Drenasit të nisë një kundërshtim ndaj një projekti të KEDS në këtë fshat.

Sipas Currit, ky projekt i kompanisë së KEDS-it e vë në rrezik familjen e tij po edhe disa tjera për shkak se tensioni i lartë i energjisë përçohet përreth vendbanimeve ani pse, sipas tij, ka pasur shumë mundësi tjera teknike për të mënjanuar këtë.

Një banor i këtij fshati ka raportuar në KALLXO.com për problemin dhe dilemën e fshatarëve.

Fatmir Curri thotë se në fillim gati i gjithë fshati ishin kundër vendosjes së tensionin të lartë, për ta ndërruar këtë mendim pas takimit me menaxheren e këtij projekti.

“Qëndrimi i zyrtarëve të KEDS-it është që në fillim ne jemi shkuar gojarisht që ta bëjmë një ndryshim të atij projekti, s’na kanë dhanë kurrfarë sqarimi me një kusht që ose pranone këtë projekt ose shkon diku tjetër. Një lloj shantazhi ose kërcënimi që ose vendoset kështu qysh është ose ikë ky projekt. Këto fjalë i ka thanë nëse nuk gaboj, menaxherja e këtij projekti zonja Teuta e cila ka ardhë këtu disa herë”, thotë Fatmir Curri.

E këtë e ka pranuar edhe fshatari tjetër Ekrem Curri i cili i ka thënë KALLXO.com por që nuk ka pranuar të flasë para kamerës. Sipas tij ka ekzistuar rreziku që ky projekt të humbet fare. Mirëpo i njëjti ka pranuar të përgjigjet përmes mjeteve elektronike

“Pas një konsultimi me banorët kemi ardhur në përfundim të bëjmë një peticion se sa jem pro këtij projekti dhe sa jem kundër. Pas peticionit ka dalë se nga 28 shtëpi, 22 janë pro, kuptohet me njehsorë elektrikë, 3 shtëpi janë kundër dhe 3 shtëpi tjera kanë abstenuar ”, është përgjigjur ai.

E Fatmir Curri brengën më të madhe e ka për fëmijët e tij, ku e sheh një kërcënim shumë të madh nga ky tension. Ai thotë se në lidhje më këtë rast ka kontaktuar edhe më një avokat për ta bërë një ankesë, mirëpo nuk kanë marrë përgjigje ani pse ka mbi 2 muaj që e kanë deponuar atë.

“Kërkesa jonë është që tensioni i lartë të merret në ato anë ku nuk ka vendbanime, ku nuk rrezikohen jetët e njerëzve. Fund e krye në 2 lagje me hy tensioni i lartë. E them në mënyrën më të sinqertë që nuk e pranojmë këtë. Forca, fuqia e bën të veten, ne do t’i shkojmë procedurave deri në fund pa marrë parasysh gjyqësore apo tjetër por këtë nuk do ta pranojmë”, tha Fatmir Curri për KALLXO.com.

Ndërsa zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala tha për KALLXO.com se nuk pasur asnjë mundësi tjetër për të vendosur tensionin e lartë dhe KEDS ka zgjedhur atë pjesë duke e vlerësuar si zgjidhjen më të mirë. Ai shton se nuk ka rrezik nga vendosja e këtij tensioni në fshatin Korreticë duke thënë se nuk lejohet kontakti me energjinë elektrike.

E sa i përket deklaratës së Fatmir Currit në lidhje më “kërcënimin” nga menaxherja e projektit, Buzhala refuzon të përgjigjet.

“Ne nuk mund të komentojmë asnjë konstatim dashakeqës të ndonjë individi, pos faktit se ky investim në këtë vend është bërë me pajtimin e plotë të banorëve të Korreticës, për çka janë edhe nënshkrimet përkatëse përmes një peticioni që e kanë bërë banorët dhe e kanë dërguar tek ne”, u shprehë Buzhala për KALLXO.com

Ndërkohë punimet e KEDS-it në këtë fshat po vazhdojnë ani pse banorët janë të ndarë në dysh rreth kësaj çështje.