Ramush Haradinaj - Foto: Atdhe Mulla

'Telashet' e Haradinajt me ambasadorët e Kosovës

Kryeministri Ramush Haradinaj, në shtator të vitit 2018 i kishte quajtur “qyqana dhe qyqane” ambasadorët që presin instruksione nga Prishtina, kurse këtë vit, i pari i Qeverisë ka akuzuar ambasadoren e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitakun se nuk i përfaqëson interesat e vendit të saj.

Fundjavën e kaluar, Haradinaj tha se Çitaku nuk është ambasadore e Kosovës, por e presidentit Hashim Thaçi.

Por kjo e fundit, përmes një reagimi tha se nuk është faji i saj që në Kosovë nuk ka konsensus politik për tema të rëndësishme dhe shtoi se asnjëherë nuk ka punuar kundër interesave të vendit.

Megjithatë, deklaratat e kreut të ekzekutivit kosovar për ambasadoren Çitaku janë kritikuar nga politikanët në pushtet dhe ata të opozitës si dhe vlerësuan se duhet pasur kujdes me adresimet ndaj ambasadorëve të Kosovës.

Zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadriaj, e cila vjen nga radhët e partisë së kryeministrit, AAK, i doli në krah shefit të partisë.

Ajo ka thënë për KALLXO.com se ndoshta ka bazë për akuzat ndaj ambasadores.

“Ka akuza, ndoshta ka bazë që ka akuza [ndaj ambasadores Vlora Çitaku], mbetet me u pa ditëve në vazhdim. Është një prononcim i zotit Haradinaj, të gjithë ambasadorët duhet t’i mbrojnë interesat e Kosovës në cilindo vend qoftë dhe jo çështjet e individëve qoftë zotin Haradinaj apo Thaçin”, theksoi Kadriaj.

Sipas saj, interesi i Kosovës është para të gjithave.

“Unë mendoj që të gjithë ambasadorët kudo që janë të akredituar e kanë këtë detyrë. E kanë obligim ligjor që me i mbrojtë interesat e shtetit”, shtoi ajo.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa duke iu përgjigjur pyetjes së KALLXO.com tha se duhet pasur kujdes në deklaratat ndaj ambasadorëve të Kosovës.

“Nuk e di se për çka ka qenë i shtytur kryeministri ta thotë këtë, mirëpo unë mendoj se ne duhet të jemi të kujdesshëm sepse përfaqësuesit  e jashtëm janë përfaqësues të Republikës së Kosovës”, tha Mustafa të hënën në një konferencë për media në Prishtinë.

Mustafa shtoi se nuk është mirë të jepen deklarata të tilla, sidomos në relacionin me ShBA-në.

“Në qoftë se ne kemi problem të brendshëm se a po na përfaqëson dikush si republikë apo po na përfaqëson personalisht apo partiakisht, atëherë duhet ta zgjidhim në Kosovë dhe nuk është mirë të jepen deklarata të tilla sidomos në relacionin me ShBA-të. Sepse ne kemi këtu ambasadorin e ShBA-së prandaj do të ishte gabim që ne prej këtu të mendojmë që ky e përfaqëson dikë nga ShBA-të e nuk e përfaqëson tjetër kënd”, u shpreh lideri opozitar.

Ndërkohë, më e ashpër ndaj kryeministrit Haradinaj është shprehur deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

Deputetja e ka cilësuar Vlora Çitakun si njërën prej diplomateve më resprezentative shqiptare dhe jo vetëm kosovare.

“Në mesin e krejt diplomatëve Ramush Haradinaj paska zgjedhë me e goditë Vlorën. Goditja ndaj saj është goditje e rëndë jo vetëm ndaj diplomacisë kosovare por edhe ndaj një ambasadoreje të denjë e cila i ka bërë krenarë gjithmonë qytetarët e Kosovës”, kishte shkruar deputetja në profilin e saj në Facebook.

Megjithëkëtë Haradinaj të hënën u pyet nga KALLXO.com, se për çfarë arsye i është drejtuar ambasadores Çitaku në atë mënyrë.

Kurse kryeministri e bëri përgjegjëse Çitakun edhe për ‘përkeqësimin’ e raporteve Kosovë-ShBA.

“E vërtetë se ambasadorja në raste të caktuara e ka paraqitur shumë mirë interesin e vendit, por kur ne kemi keqkuptime me Washingtonin atëherë ka dyshime të bazuara se arsyet për keqkuptim janë edhe mosparaqitja e gjendjes reale në vend. Nëse ka përkeqësim siç po thuhet të marrëdhënieve atëherë të gjithë e kemi një bazë të përgjegjësisë, pra përfshirë edhe ambasadoren”, tha Haradinaj të hënën gjatë një konference për shtyp në Komunën e Gjilanit.

KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim edhe nga ambasadorja Çitaku, por e njëjta ka qenë e paqasshme.

https://kallxo.com/haradinaj-sqaron-se-pse-e-quajti-vlora-citakun-ambasadore-te-thacit/

https://kallxo.com/reagim-ndaj-deklarates-se-haradinajt-ku-i-quan-ambasadoret-qyqana-dhe-qyqane/

https://kallxo.com/citaku-reagon-pas-deklaratave-te-haradinajt-se-ajo-eshte-ambasadore-e-hashim-thacit/

www.kallxo.com