WhatsApp vjen me pesë ndryshime të mëdha

Vitin e kaluar WhatsApp prezantoi një sërë ndryshimesh dhe përmirësimesh me të cilat dëshiron t’i mbajë përdoruesit e tij dhe të tërheqë të rinj dhe, me gjasë, e njëjta situatë do të jetë edhe në vitin 2023.

Pra, tashmë është e qartë që po punojnë për disa ndryshime që duhet të ndikojnë ndjeshëm në funksionimin e aplikacionit dhe mënyrën e përdorimit të tij. Edhe pse WhatsApp nuk ka njoftuar ende asgjë zyrtarisht, portali WABetaInfo, i cili analizon versionin beta të aplikacionit, ka zbuluar disa ndryshime interesante që së shpejti mund të gjenden në telefonat inteligjentë të përdoruesve.

Një nga ndryshimet më të mëdha, që do të kënaqë shumë njerëz, është aftësia për të zbuluar tekstin në fotot e WhatsApp dhe aftësia për të kopjuar atë tekst dhe për ta dërguar atë. Ky opsion është aktualisht në fazën e testimit, kështu që nuk është ende e mundur të thuhet se kur do të bëhet i disponueshëm për të gjithë përdoruesit.

Një tjetër ndryshim për të cilin po punohet është aftësia për ta transferuar historikun e bisedave midis telefonave inteligjentë me Android, por pa përdorur Google Drive. Sa për rikujtim, përdoruesit që i ndryshuan telefonat inteligjentë fillimisht duhej të bënin një kopje arkivore të historisë së bisedave, ta ruanin atë në Google Drive dhe më pas ta shkarkonin të njëjtën kopje në një pajisje tjetër për t’i rikuperuar bisedat e tyre. Ky opsion do ta bënte më të lehtë ndërrimin e bisedave dhe ndryshimin e telefonit.

Po punohet gjithashtu për një opsion për përcjelljen e skedarëve mediatikë me komente. Deri më tani, përdoruesit mund të përcjellin vetëm një skedar (foto, video, GIF) por pa komente. Tani mund të jenë në gjendje ta shkruajnë komentin ose shpjegimin e tyre përpara se ta përcjellin tutje, duke e bërë më të lehtë përcjelljen.

WhatsApp po e përgatit një tjetër veçori të re – statuset e zërit. Më saktësisht, deri më tani përdoruesit mund të publikonin statuse, të tilla si foto ose video, ndërsa në të ardhmen mund të përdornin edhe një mesazh zanor. Për ata që duan të ndajnë diçka me një grup të paracaktuar njerëzish, por nuk duan të jenë të dukshëm në video, kjo mund të jetë një zgjidhje interesante.

Gjithashtu po zhvillohet një mënyrë më e thjeshtë për t’i bllokuar përdoruesit e padëshiruar, si dhe opsione të reja për kamerën, të cilat duhet ta bëjnë më të lehtë regjistrimin e videove direkt në aplikacion.

Duhet të theksohet se ekipi WABetaInfo i zbuloi këto opsione në versionet testuese të aplikacionit, kështu që është e vështirë të parashikohet se kur mund të jenë të disponueshme për përdoruesit e rregullt. Por në çdo rast, duket se përdorimi i WhatsApp do të bëhet edhe më interesant./Wabetainfo.com

Përgatiti: Nuhi Shala