'Viber' e prezanton verifikimin me dy hapa, ja si do të funksionojë

Platforma ‘Viber’ ka bërë prezantimin e funksionit më të fundit – verifikimi me dy faza.

Një nivel shtesë sigurie i lejon përdoruesit ta verifikojnë vërtetësinë e llogarive të tyre duke përdorur PIN kodet dhe emailet.

Siç thonë zyrtarët e kësaj platforme, angazhimi i ‘Viber’ për ta ofruar një platformë të sigurt komunikimi që e vendos privatësinë në radhë të parë është evident në punën e vazhdueshme për veçoritë e reja.

Mesazhet në ‘Viber; tashmë janë të koduara nga të dyja anët, duke parandaluar që palët e treta të kenë qasje në të dhëna dhe funksioni i zhdukjes së mesazheve u jep përdoruesve kontroll të mëtejshëm se kush i shikon mesazhet e tyre.

Përdoruesit që zgjedhin ta aktivizojnë funksionin e verifikimit me dy hapa do të duhet të zgjedhin një PIN me gjashtë shifra dhe ta verifikojnë adresën e tyre të e-mailit.

Për t’u identifikuar në ‘Viber’ në një pajisje celulare ose desktop, përdoruesit do të duhet ta konfirmojnë llogarinë duke futur PIN kodin e tyre.

Në rast se ata e harrojnë PIN-in e tyre, do të përdoret një email i paracaktuar për ta ndihmuar përdoruesin të ri-futet në llogarinë e tij.

Për më tepër, PIN kodi do ta pamundësojë aftësinë për ta çaktivizuar llogarinë duke përdorur ‘Viber’-in në desktop. Kushdo që përpiqet ta çaktivizojë një llogari ‘Viber’ përmes desktopit do të duhet ta përdorë një PIN kod.

Funksioni i ri i ‘Viber’-it u jep mundësinë përdoruesëve të zbatojnë masa shtesë sigurie për ta siguruar privatësinë e llogarive të tyre.

Verifikimi me dy hapa i mbron nga hakerët që rrëmbejnë llogaritë e përdoruesve për të dërguar mesazhe të pakërkuara ose për të hyrë në të dhënat private.

Reduktimi i numrit të llogarive të paverifikuara brenda platformës jo vetëm që do ta zvogëlojë numrin e spam-eve në platformë, por gjithashtu do të krijojë një aplikacion më efikas dhe më të qëndrueshëm për përdoruesit për të komunikuar me më të dashurit në mbarë botën.

Përveç kësaj, ‘Viber’ po punon për shtimin e vërtetimit biometrik në të ardhmen.

“Privatësia e përdoruesve të ‘Viber’-it është gjithmonë prioriteti ynë numër një, pavarësisht se çfarë bëjmë. Ne jemi të përkushtuar ta mbajmë aplikacionin tonë të sigurt dhe të koduar nga të dyja anët, dhe kjo veçori e re është një hap më tej,” ka deklaruar Amir Ish-Shalom, Shefi i Informacionit të ‘Rakuten Viber’.

“Verifikimi me dy hapa do t’i lehtësojë shqetësimet e përdoruesve tanë për sigurinë e tyre dhe do t’i bindë jo vetëm konsumatorët, por edhe kompanitë që ‘Viber’ ofron teknologjinë më të fundit për ta garantuar sigurinë e platformës së tij.”

Tipari i çertifikimit me dy faza të ‘Viber’=it do të lansohet në shtete të zgjedhura evropiane, përpara se të prezantohet edhe globalisht./tportal.hr