Vetura e re Volvo - nëse shoferi është i dehur e ndalon automjetin

Volvo, si të gjitha kompanitë e tjera të automjeteve, e sheh të ardhmen e tregut në elektrifikimin dhe deri më tani ka prezantuar dy modele plotësisht elektrike – XC40 dhe C40. Në fund të këtij viti, ata do të prezantojnë modelin e tretë të automjetit elektrik EX90, në të cilin do t’i kushtojnë rëndësi të madhe sigurisë.

Sipas informacioneve zyrtare të publikuara nga Volvo, ky automjet do të ketë një nga sistemet me sensorë më të avancuar në treg. Kështu, Volvo EX90 do të ketë tetë kamera, deri në 16 sensorë tejzanor, pesë radarë dhe një LiDAR të montuar në çatinë e automjetit. Kamerat dhe sensorët e jashtëm duhet t’i ndihmojnë drejtuesit të navigojnë më mirë në trafik, t’i shmangin automjetet tjera, këmbësorët dhe situata të tjera të paparashikuara, ndërsa kamerat dhe sensorët e brendshëm janë instaluar për ta monitoruar shoferin dhe sjelljen e tij.

Nëse sensori dhe sistemi i kamerës vëren se shoferi nuk është i fokusuar në trafik ose se është i dehur (d.m.th., ai sillet kështu), automjeti do t’i dërgojë një paralajmërim. Nëse shoferi nuk i përgjigjet këtij paralajmërimi, kjo do të jetë shenjë se diçka mund të mos jetë në rregull, pra se ai nuk është i fokusuar në drejtimin e automjetit ose se është nën ndikimin e alkoolit. Në këtë rast, makina do të ngadalësojë shpejtësinë dhe do të ndalojë në anë të rrugës me të katër dritat e ndezura.

Volvo kishte si synim ta fillonte zbatimin e kësaj teknologjie që në vitin 2020, por zhvillimi i saj është vonuar deri më tani. Përveç kësaj teknologjie, kjo kompani do ta kufizojë edhe shpejtësinë e automjeteve të saj në 180 km/h. Ata shpresojnë se përpjekjet e tyre dhe zhvillimi i teknologjisë do të rezultojë në më pak aksidente trafiku dhe viktima në trafik.

Prezantimi i Volvo EX90 u paralajmërua për 9 nëntor dhe më pas presim më shumë informacione për vetë automjetin, të tillë si fuqia e motorit, bateria, diapazoni etj. Planet fillestare të kompanisë ishin të shiste një milion automjete elektrike deri në vitin 2025, por si theksojnë në EV Arena, këto plane u reduktuan dhe tani planifikojnë të shesin rreth 600 mijë vetura deri në atë vit./EV Arena