Twitter paralajmëron rritje të çmimit të abonimit

Një nga kritikat e Elon Musk ndaj Twitter-it, përpara se të njoftonte se do ta merrte përsipër rrjetin social (dhe më vonë ndryshoi sërish mendjen), ishte për shërbimin e tyre të abonimit në Twitter Blue. Përveç që tha se abonentëve të atij shërbimi nuk duhet t’u shfaqen reklama, ai kritikoi edhe – çmimin. Sipas tij, abonimi mujor prej 2,99 dollarësh që ishte atëherë ishte shumë i lartë dhe tha se duhet të jetë më i ulët dhe të arrijë në 2 dollarë.

Jo vetëm që ekipi i Twitter nuk pajtohet me Elon Musk se 3 dollarë në muaj janë shumë, ata mendojnë se abonimi duhet të jetë edhe më i lartë. Kështu që këtë javë ata njoftuan një rritje të abonimit mujor deri në 2 dollarë.

Abonentët aktualë të shërbimit Twitter Blue nuk do të kenë rritje të menjëhershme çmimi dhe do të kenë një periudhë të shkurtër gjatë së cilës mund ta anulojnë abonimin nëse dëshirojnë, por nga tetori kjo rritje do të zbatohet edhe për ta. Për të tjerët që ende duan të bëhen abonentë të shërbimit Twitter, çmimet e reja hyjnë në fuqi menjëherë.

Twitter Blue, përveç në SHBA, është i disponueshëm në një numër të kufizuar tregjesh – në Kanada, Australi dhe Zelandën e Re, dhe u mundëson përdoruesve të përdorin disa opsione shtesë që lejojnë personalizimin e përdorimit të këtij rrjeti social.

Twitter nuk dha një arsye specifike për një rritje kaq të madhe të çmimit të shërbimit të abonimit, por përmendi disa kushte të përgjithshme, të tilla si përmirësimi i opsioneve aktuale, zhvillimi i opsioneve të reja që kërkojnë përdoruesit dhe vazhdimi i misionit të tyre për ta mbështetur gazetarinë./Neowin