Twitter do t’i largojë postimet që përhapin dezinformata në lidhje me vaksinën për COVID-19

Rrjeti social Twitter njoftoi të mërkurën se përdoruesit do të duhet t’i largojnë cicërimat (tweets) e reja që përcjellin pretendime të dëmshme, të rreme ose mashtruese në lidhje me vaksinimin kundër Covid -19, duke i zgjeruar rregullat e saj  lidhur me  dezinformimin për koronavirus.

Facebook dhe Google po ashtu kanë njoftuar për t’i ndaluar pretendimet e rreme në lidhje me vaksinat që bien ndesh me informacionin nga ekspertët e shëndetit publik në javët e fundit.

Siç thonë zyrtarët nga kompania Twitter, do të kërkoheët nga përdoruesit që ti largojnë të gjitha ato tweets (cicërima) që përmbajnë pretendime të rreme e që  sugjerojnë se vaksinat “përdoren për të dëmtuar ose kontrolluar me qëllim popullatën, përfshirë deklaratat në lidhje me vaksinat që bëjnë thirrje për konspiracion të qëllimshëm”.

Twitter po ashtu bën të ditur se duke filluar nga viti i ardhshëm, ata mund të fillojnë ti etiketojnë apo paralajmërojnë ato tweets që promovojnë “thashetheme të pabazuara, pretendime të diskutueshme, si dhe informacione jo të plota ose jashtë kontekstit” në lidhje me vaksinat.

“Ne jemi të fokusuar në zbutjen e informacionit të rremë që paraqet dëmin më të madh të mundshëm për shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve”, tha Twitter në një deklaratë të mërkurën.

Twitter planifikon të fillojë implementimin e këtyre rregullave të reja duke filluar më 21 dhjetor.