'Twitter' do ta pranojë ofertën prej 43 miliardë dollarësh nga Elon Musk

‘Twitter Inc’ (TWTR.N) është gati të pajtohet për një shitje tek Elon Musk për rreth 43 miliardë dollarë në para, çmimi që shefi ekzekutiv i ‘Tesla Inc’ (TSLA.O) e ka quajtur ofertën e tij “më të mirë dhe përfundimtare” për kompaninë e mediave sociale, kanë deklaruar individë të njohur me këtë çështje.

‘Twitter’ mund ta shpallë marrëveshjen prej 54,20 dollarësh për aksion më vonë sot, pasi bordi i tij të jetë mbledhur për t’ua rekomanduar transaksionin aksionarëve të ‘Twitter’, thanë burimet.

“Është gjithmonë e mundur që marrëveshja të dështojë në minutën e fundit”, shtuan burimet.

Musk, personi më i pasur në botë sipas një raporti nga ‘Forbes’, është duke negociuar për ta blerë ‘Twtter’-in në kapacitet personal dhe ‘Tesla’ nuk është e përfshirë në marrëveshje.

‘Twitter’ nuk ka qenë në gjendje të sigurojë deri më tani një dispozitë ‘go-shop’ sipas marrëveshjes së tij me Musk që do ta lejonte atë të kërkonte oferta të tjera pasi të nënshkruhet marrëveshja, thanë burimet.

Megjithatë, ‘Twitter’ do të lejohet ta pranojë një ofertë nga një palë tjetër duke i paguar Musk një tarifë ndarjeje, shtuan burimet.

Burimet në fjalë kërkuan anonimitet sepse çështja është konfidenciale. ‘Twitter’ dhe Musk nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për të dhënë ndonjë koment.

Aksionet e ‘Twitter’ u rritën me 4.5% në tregtimin para tregut në Nju Jork të hënën në 51.15 dollarë.

Musk ka thënë se ‘Twitter’ duhet të merret privatisht që të rritet dhe të bëhet një platformë e vërtetë për fjalën e lirë.

Marrëveshja erdhi vetëm katër ditë pasi Musk zbuloi një paketë financimi për ta mbështetur blerjen. Kjo bëri që bordi i ‘Twitter’-it ta merrte më seriozisht marrëveshjen dhe shumë aksionarë t’i kërkonin kompanisë që të mos linte mundësinë që një marrëveshje për blerjen e Twitter të mos realizohej, raportoi Reuters të dielën. 

Shitja do të përfaqësonte një pranim nga ‘Twitter’ se shefi i ri ekzekutiv i saj Parag Agrawal, i cili mori udhëheqjen në nëntor, nuk po bën mjaftueshëm tërheqje për ta bërë kompaninë më fitimprurëse, pavarësisht se është në rrugën e duhur për t’i përmbushur objektivat ambicioze financiare që kompania vendosi për vitin 2023.

Aksionet e ‘Twitter’ tregtoheshin më të larta se çmimi i ofertës së Musk deri në nëntor.

Taktikat e negociatave të Musk – duke bërë një ofertë dhe duke i qëndruar pas – i ngjan asaj se si një tjetër miliarder, Warren Buffett, i negocion blerjet. Musk nuk dha asnjë detaj financimi kur zbuloi ofertën e tij për ‘Twitter’, duke e bërë tregun skeptik për perspektivat e tij./Reuters