Miliarderi Elon Musk, Foto: TED, Video

Twitter do ta padisë Elon Musk lidhur me përpjekjen për ta anuluar marrëveshjen e blerjes prej 44 miliardë dollarësh

Elon Musk njoftoi të premten se do t’i japë fund marrëveshjes së tij prej 44 miliardë dollarësh për ta blerë Twitter, duke thënë se “dispozita të shumta” të marrëveshjes ishin shkelur.

Njeriu më i pasur në botë shkroi në një dosje rregullatore se Twitter kishte dështuar t’i ofronte informacion në lidhje me llogaritë e rreme ose të padëshirueshme (spam) në platformën e saj.

Kushtet e marrëveshjes kërkojnë që Musk të paguajë një tarifë prej 1 miliard dollarësh për ndarjen nëse nuk e përfundon transaksionin. Por Tëitter tashmë po thotë se do të luftojë në gjykatë për ta zbatuar atë.

Kryetari i bordit të Twitter, Bret Taylor, shkroi në Twitter në përgjigje se bordi është “i përkushtuar për ta mbyllur transaksionin mbi çmimin dhe kushtet për të cilat është rënë dakord me Musk dhe planifikon të ndjekë veprime ligjore për të zbatuar marrëveshjen e bashkimit”.

“Ne jemi të sigurt se do të triumfojmë në Gjykatën e Barazisë të Delaëare,” shtoi Taylor.

Ky lajm është kthesa më e fundit e një sage javore, do-ai-apo-nuk-do-ai, që rezulton me faktin që një  Kryeshef Ekzekutiv miliarder i Tesla dhe SpaceX ta akuzojë publikisht Twitter-in për nënvlerësim të numrit të llogarive false ose të padëshirueshme, të cilat janë kyçe për biznesin e performancës së kompanisë.

Në një letër drejtuar Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbime, Musk tha se Twitter “nuk kishte përmbushur detyrimet e tij kontraktuale” që lidhen me marrëveshjen, përkatësisht duke i dhënë atij informacion të mjaftueshëm për të “bërë një vlerësim të pavarur të përhapjes së llogarive të rreme ose të padëshiruara në platformën e Twitter”.

Pjesa më e madhe e dramës rreth blerjes së Twitter, me Musk – i cili ka më shumë se 95 milionë ndjekës – gjithashtu ankohet vazhdimisht se kompania nuk po arrinte ta përmbushte potencialin e saj si një platformë për fjalën e lirë.

Aksionet e Twitter ranë 5 për qind në 36.81 dollarë pas lajmeve, shumë më poshtë se 54.20 dollarë që Musk kishte ofruar të paguante. Ndërkohë, aksionet e Tesla u rritën me 2.5 për qind në 752.29 dollarë.

Musk kishte kërcënuar më parë se do të largohej nga marrëveshja nëse Twitter nuk mund të tregonte se më pak se 5 për qind e përdoruesve të tij aktivë ditorë janë llogari të automatizuara të padëshirueshme (spam).

Ai argumentoi, pa paraqitur ndonjë dëshmi, se Twitter e ka nënvlerësuar ndjeshëm numrin e këtyre “bots spam” – llogari të automatizuara që zakonisht promovojnë mashtrime dhe përhapin dezinformata – në shërbimin e tij.

Gjatë një telefonate me udhëheqësit të enjten, Twitter tha se po i largon 1 milion llogari të padëshiruara çdo ditë dhe se këto llogari përbëjnë shumë më pak se 5 për qind të bazës së tij aktive të përdoruesve çdo tremujor.

Për të llogaritur se sa llogari janë të padëshirueshme, Twitter tha se po i rishikon “mijëra llogari” të marra në mënyrë të rastësishme, duke përdorur të dhëna publike dhe private si adresat IP, numrat e telefonit, vendndodhjen gjeografike dhe se cila është sjellja e llogarisë kur është aktive, për të përcaktuar nëse një llogari është e vërtetë.

Llogaritë e rreme të mediave sociale kanë qenë problematike prej vitesh. Reklamuesit mbështeten në numrin e përdoruesve të ofruar nga platformat e mediave sociale për të përcaktuar se ku do të shpenzojnë para./Euronews