TikTok prezanton ndryshime

Nëse jeni ndër ata që e keni të aktivizuar TikTok-un dhe e kuptoni befas se kanë kaluar disa orë dhe jeni ende duke shikuar video, kjo mund të ndryshojë së shpejti.

Përkatësisht, TikTok njoftoi se në javët në vijim do të prezantojnë një opsion të ri që do t’u mundësojë përdoruesve të përcaktojnë se sa kohë duan të kalojnë duke shikuar video përpara se aplikacioni t’u kujtojë se është koha për pushim. Deri më tani, përdoruesit kanë marrë një kujtesë automatike nëse kanë kaluar më shumë se 40, 60, 90 ose 120 minuta në aplikacion gjatë ditës.

Përveç kësaj, përdoruesit do të mund t’i shohin statistikat e tyre në aplikacion, pra sa kohë kanë kaluar në TikTok, sa herë e kanë hapur aplikacionin dhe nëse shikojnë më shumë video gjatë ditës apo natës. Përdoruesit mund të zgjedhin të marrin raporte javore për përdorimin e aplikacionit nga ana e tyre.

Gjithashtu, TikTok njoftoi se përdoruesit e moshës 13 deri në 17 vjeç do të marrin njoftime speciale nëse kalojnë më shumë se 100 minuta gjatë ditës në aplikacion.

Hulumtimet tregojnë se përdoruesit më të rinj do të pranojnë përkujtues të cilët do t’i inkurajonin ata të mendonin për kohën që po e kalojnë në internet, por gjithashtu që do t’i inkurajonin ata ta menaxhonin në mënyrë aktive kohën që shpenzojnë duke përdorur aplikacionin. Është e rëndësishme që ata të ndihen nën kontrollin e përvojës së tyre në internet dhe të ndihmohen për të marrë vendime të informuara, tha një nga këshilltaret e TikTok, Carolyn Bunting, drejtore e Internet Matters.

Kujtojmë, TikTok ka qenë prej kohësh objekt kritikash për faktin se të rinjtë (që e përdorin më së shumti këtë aplikacion) shikojnë video pa ndërprerje për orë të tëra dhe në këtë mënyrë rrezikojnë mirëqenien dhe shëndetin e tyre mendor.

Nuk dihet ende se si do të funksionojnë këta përkujtues në praktikë dhe nëse vërtet do t’i inkurajojnë përdoruesit të pauzojnë dhe të bëjnë diçka tjetër në jetën e tyre./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala