TikTok ndalohet në shtetin amerikan të Montanas. A është ky një prelud i një ndalimi në mbarë SHBA-në?

Shteti amerikan i Montanas e ka miratuar një projekt-ligj për ta ndaluar TikTok të premten, i cili do të jetë i vështirë për t’u zbatuar në formën e tij aktuale, por mund ta rrisë gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për ta ndaluar një herë e përgjithmonë platformën popullore të grupit kinez ByteDance.

Ligji SB419 u pranua me 54 vota (43 kundër), ai ende duhet të nënshkruhet nga guvernatori republikan i atij shteti në veriperëndim të vendit, i cili ka pak më shumë se një milion banorë.

Ashtu si shumë anëtarë demokratë dhe republikanë të Kongresit Amerikan, përfaqësuesit e Montana mendojnë se platforma e videove të shkurtra dhe argëtuese të vizituara nga 150 milionë amerikanë, i jep mundësinë Pekinit t’i spiunojë dhe manipulojë përdoruesit.

Ligji i lartcekur i urdhëron dyqanet e aplikacioneve celulare (Apple dhe Google) ta ndalojnë shpërndarjen e TikTok nga 1 janari 2024.

Kështu, Montana u bë shteti i parë amerikan që e miratoi një ligj që e ndalon TikTok-un. Por TikTok me siguri do të përpiqet ta kundërshtojë këtë ligj në gjykatë dhe ka pak mundësi që të zbatohet në formën e tanishme.

“Gjykata do të vendosë për kushtetutshmërinë e tekstit. Ne vazhdojmë luftën për përdoruesit dhe krijuesit e TikTok në Montana”, tha një përfaqësues zyrtar i aplikacionit përpara votimit.

TikTok i ka mohuar akuzat për spiunazh për Kinën për vite me radhë./tportal.hr

Përgatiti: Nuhi Shala