TikTok largohet nga pajisjet zyrtare në Komisionin Evropian

Komisioni Evropian i ka ndaluar stafit ta përdorë aplikacionin kinez TikTok për arsye sigurie, në shembullin e fundit të tensioneve në rritje midis Pekinit dhe Perëndimit.

Qeveritë perëndimore janë të alarmuara nga dëshmitë se kompanitë kineze të teknologjisë po e ndihmojnë Partinë Komuniste dhe shërbimet e saj të inteligjencës të mbledhin sasi të mëdha të dhënash në mbarë botën – me një fokus të veçantë në objektivat me vlerë të lartë politike dhe të sigurisë.

Një zyrtar i lartë i tha POLITICO se i gjithë stafi i Komisionit, i cili numëron rreth 32,000, u urdhërua të enjten në mëngjes ta hiqnin TikTok nga pajisjet e tyre zyrtare dhe se ata gjithashtu duhet t’i heqin aplikacionin nga pajisjet e tyre personale nëse kanë të instaluar ndonjë aplikacion të lidhur me punën.

Përndryshe, anëtarët e stafit mund të fshijnë aplikacionet e lidhura me punën nga telefonat e tyre personalë nëse këmbëngulin të mbajnë TikTok-un.

“Për t’i mbrojtur të dhënat e Komisionit dhe për ta rritur sigurinë e tij kibernetike, Bordi i Menaxhimit të Korporatave të KE-së ka vendosur ta pezullojë aplikacionin TikTok në pajisjet e korporatave dhe pajisjet personale të regjistruara në shërbimin e pajisjeve celulare të Komisionit”, thuhej në e-mailin dërguar stafit të enjten në mëngjes.

Institucione tjera të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Këshillin dhe Parlamentin, ka të ngjarë ta ndjekin shembullin në ndalimin e aplikacionit kinez, megjithëse mund të kërkohet shumë më tepër kohë që Parlamenti Evropian ta zbatojë një politikë të tillë.

Ndalimi ka të ngjarë të shpallet publikisht në konferencën e rregullt të mesditës së Komisionit.

Shtetet e Bashkuara e kanë ndaluar tashmë TikTok-un në shumë pajisje qeveritare, ndërsa Holanda po shqyrton një ndalim të ngjashëm./Politico.eu

 

Përgatiti: Nuhi Shala