Tesla shënon rritje të jashtëzakonshme

Tesla i ka rritur çmimet – por kjo nuk duket se e ka ulur kërkesën për veturat e saj elektrike.

Pavarësisht se kompania në fjalë përballet me kosto më të larta, fitimet në kompaninë e veturave elektrike të Elon Musk u rritën në 3.3 miliardë dollarë në tre muajt e parë të vitit, pasi klientët u treguan të gatshëm të paguanin më shumë.

Dërgesat e firmës u rritën me 68% – dhe do të ishin më të larta nëse jo për mungesat e zinxhirit të furnizimit, tha kompania në fjalë.

Fabrika e saj në Shangai u mbyll gjithashtu kohët e fundit për shkak të kufizimeve të Covid.

Ndërkohë që fabrika rihapet këtë muaj, stafit do t’i kërkohet të flejë në fabrikë në një përpjekje për t’i shmangur bllokimet e mëtejshme, ka raportuar Bloomberg.

“Megjithëse prodhimi i kufizuar ka rifilluar kohët e fundit, ne vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën,” tha Tesla ndërsa ndau rezultatet tremujore me investitorët.

Tesla ka nxitur zgjerimin, duke hapur fabrika të reja në Teksas dhe Gjermani javët e fundit.

Kompania dorëzoi më shumë se 310,000 vetura në tre muajt e parë të vitit dhe përmes një konference, shefi ekzekutiv Elon Musk parashikoi se kompania do të prodhonte 60% më shumë vetura gjatë vitit në tërësi krahasuar me vitin e kaluar.

Tesla nuk i reklamon produktet e saj, por tërheq tituj të shpeshtë, shpesh të lidhur me komentet e diskutueshme të bëra nga zoti Musk.

Mirëpo kompania tha se kishte parë gjithashtu rritje të porosive pas rritjes së marketingut nga prodhuesit rivalë të makinave elektrike.

Musk tha se Tesla pret të prodhojë në masë një robotaksi pa timon apo pedale deri në vitin 2024.

Ndërkohë që aksionet e Tesla u rritën më shumë se 5% në tregtinë pas orarit të punës, pas rezultateve të mira, disa investitorë shqetësohen se zoti Musk mund të shpërqendrohet nga fokusi i tij tek prodhuesi i veturave elektrike teksa ai zgjerohet.

Musk, i njohur për mendimet e tij ndonjëherë të çrregullta në Tëitter, së fundmi bëri një ofertë të pakërkuar për ta blerë platformën e mediave sociale për 43 miliardë dollarë.

Rritja e vlerës së tregut të aksioneve të Tesla në vitet e fundit e ka bërë Musk-un njeriun më të pasur në botë, me një vlerë neto të vlerësuar prej më shumë se 260 miliardë dollarësh.

Kjo është gati 100 miliardë dollarë më shumë se rivali i tij më i afërt, themeluesi i Amazon, Jeff Bezos./BBC