Tesla prezanton një prototip pune të robotit të saj

Në “Ditën e IA” të vitit të kaluar, Elon Musk njoftoi një produkt krejtësisht të ri Tesla – një robot humanoid për të cilin tha se mund të revolucionarizojë prodhimin në fabrikat e tyre, por gjithashtu se potenciali i tij është shumë më i madh sepse mund të përdoret në miliona familje dhe të kryejë detyra, të tilla si gatimi, pastrimi, kositja e barit, etj.

Në “AI Day 2022”, Musk prezantoi progresin që kanë bërë me robotin në vitin e fundit dhe gjatë prezantimit të prototipit të punës, tha se vitin e kaluar kishin në skenë një burrë me kostum, i cili vepronte si robot, ndërsa tani kanë përgatitur diçka shumë më mbresëlënëse. Jo shumë kohë pas kësaj, prototipi i robotit Optimus (ose Tesla Bot) u shfaq në skenë dhe ecte përreth duke e përshëndetur turmën prezente aty.

Interesant është fakti se në të nuk kishte asnjë pjesë mekanike apo tela të fshehura, gjë që e bën të qartë se është një prototip pune që kërkon ende shumë punë. Aftësitë e tij aktuale janë shumë më të mëdha se ato që ai tregoi gjatë “AI Day 2022”, por Musk pranoi se nuk donin ta tepronin me prezantimin e parë që roboti të mos u binte mbi kokë apo diçka tjetër.

Më pas, punonjësit e Tesla-s treguan një prototip tjetër roboti që nuk mund të ecte vetë, por kishte tela dhe pjesë mekanike të fshehura dhe mund të presim që, kur bëhet fjalë për dizajnin, modeli i përfunduar do të duket tamam ashtu. Roboti humanoid i Teslës ndan pjesën e sensorëve, por edhe softuerit me opsione autopilot nga automjetet e tyre, dhe Musk shpreson që çmimi i tij mund të jetë më pak se 20 mijë dollarë.

Ajo që e dallon Tesla Optimus nga “demonstrimet mbresëlënëse të robotëve humanoidë” të tjerë është se roboti i Teslës është bërë për prodhim masiv në miliona copë dhe do të jetë jashtëzakonisht i aftë, thotë njeriu i parë i kompanisë. Gjatë demonstrimit, ata u fokusuan në duart, nyjet dhe gjunjët e robotit dhe lëvizjet – për shembull, thuhet se duart janë të frymëzuara nga “dizajni biologjik” dhe se roboti do të jetë në gjendje të ngrejë objekte të formave të ndryshme me to dhe do ta ketë një kontroll të saktë edhe në gjërat e vogla.

Pritshmëritë nga Optimus janë shumë të larta – Musk thotë se është produkti i tyre më i rëndësishëm që po e zhvillojnë këtë vit dhe se e ka potencialin të bëhet më i rëndësishëm për Teslën sesa automjetet e tyre. Megjithatë, derisa robotët e parë të mbërrijnë në fabrika apo familje, do të duhet ende shumë kohë pasi të paktën 3 deri në 5 vjet do të kalojnë nga ky prototip në versionin final të punës./The Verge

Përgatiti: Nuhi Shala