Teleskopi James Webb zbulon pamje të detajuara të atmosferës së një ekzoplaneti

Në fillim të këtij viti, ekzoplaneti WASP-39b u bë planeti i parë jashtë sistemit diellor që kishte dioksid karboni (CO2) në atmosferën e tij. Megjithatë, ky gjigant gazi, i cili është rreth 700 vite dritë larg nesh, doli të ishte një thesar i vërtetë ekzoplanetar pasi teleskopi hapësinor James Webb (JWST) i NASA-s e përqendroi vështrimin mbi të.

Një analizë e thellë e të dhënave nga JWST u ka dhënë shkencëtarëve një minierë absolute ari të informacionit dhe pamjen më të detajuar të atmosferës së një ekzoplaneti deri më tani.

Rezultatet e analizës së lartpërmendur përfshijnë informacione për retë e ekzoplanetit të përmendur, pra zbulimin e parë të drejtpërdrejtë të fotokimisë në atmosferën e ekzoplanetit dhe një listë pothuajse të plotë të përmbajtjes kimike të atmosferës, e cila gjithashtu zbulon të dhëna për historinë e ekzoplanetit. Të gjitha këto zbulime të mëdha u botuan në pesë punime në revistën shkencore Nature dhe hapin rrugën për zbulimin përfundimtar të shenjave kimike të jetës jashtë sistemit diellor.

Paralajmërim i një ardhme shkencore 

Këto vëzhgime të hershme janë një pararojë e shkencës më të mahnitshme që do të vijë me teleskopin JWST.

“Ne e kontrolluam teleskopin për ta testuar performancën dhe ishte pothuajse i përsosur, madje edhe më i mirë nga sa shpresonim”- thotë astrofizikantja Laura Kreidberg, drejtoreshw e Institutit Max Planck për Astronominë në Gjermani.

JWST është teleskopi hapësinor më i fuqishëm i lëshuar ndonjëherë. Me tre nga katër instrumentet e tij, JWST mori pamje të detajuara infra të kuqe të yllit WASP-39. Shkencëtarët më pas u nisën për t’i analizuar kodet shumëngjyrëshe. Së pari ishte një listë e molekulave të pranishme në atmosferën e WASP-39b. Përveç dioksidit të karbonit të përmendur, janë zbuluar avujt e ujit, natriumi dhe monoksidi i karbonit. Metani nuk u zbulua në atmosferën e planetit, duke lënë të kuptohet se metaliciteti i WASP-39b është më i lartë se ai i Tokës.

Raporti i karbonit ndaj oksigjenit sugjeron se ky ekzoplanet është formuar shumë më larg nga ylli i tij pritës sesa vendi ku ai orbiton aktualisht, dhe orbita e tij aktuale zgjat katër ditë. Dhe të dhënat e modelimit dhe vëzhgimit sugjerojnë se qielli i ekzoplanetit është i populluar nga retë me ndërprerje, por jo nga uji, por nga silikate dhe sulfite.

Vëzhgimet përfundimisht zbuluan praninë e një përbërjeje të quajtur dioksid squfuri. Në Sistemin Diellor, në botët shkëmbore si Venusi dhe hëna Io e Jupiterit, dioksidi i squfurit është rezultat i aktivitetit vullkanik. Por në botët e gazta, dioksidi i squfurit ka një histori tjetër të origjinës dhe formohet kur sulfuri i hidrogjenit shpërbëhet nga drita në pjesët përbërëse të tij dhe squfuri që rezulton oksidohet. Reaksionet kimike të shkaktuara nga fotonet njihen si fotokimi dhe ato ndikojnë në banueshmërinë, stabilitetin atmosferik dhe formimin e aerosolit.

Pritshmëritë e përmbushura

Prandaj, WASP-39b nuk ka gjasa të jetë i banueshëm për jetën siç e njohim ne për një sërë arsyesh, duke përfshirë, por pa u kufizuar në temperaturën e tij të nxehtë dhe përbërjen e gaztë.

Shkencëtarët planetarë janë përgatitur për vite me radhë për njohuritë atmosferike që pritej të jepte JWST. Me analizën e parë të detajuar të atmosferës së një ekzoplaneti, teleskopi hapësinor duket i vendosur për të ofruar./ Science Alert

Përgatiti: Nuhi Shala