Teleskopi James Webb zbulon dy nga galaktikat më të vjetra dhe më të largëta që janë parë ndonjëherë

Teleskopi hapësinor James Webb i NASA-s po gjen galaktika të shndritshme dhe të hershme që deri më tani kanë qenë të fshehura nga pamja, duke përfshirë një që mund të jetë formuar vetëm 350 milionë vjet pas shpërthimit të madh (Big Bengut).

Astronomët thanë të enjten se nëse rezultatet do të verifikohen, kjo turmë yjesh të sapo zbuluar do ta mundte galaktikën më të largët të identifikuar nga teleskopi hapësinor Hubble – një mbajtës rekord që u formua 400 milionë vjet pas fillimit të universit.

I lansuar dhjetorin e kaluar si pasardhës i Hubble, teleskopi Webb po tregon se yjet mund të jenë formuar më shpejt se sa mendohej më parë – ndoshta brenda disa milionë viteve nga Big Bengu.

Zbulimet e fundit të Webb u detajuan në Astrophysical Journal Letters nga një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga Rohan Naidu i Qendrës Harvard-Smithsonian për Astrofizikë. Artikulli shtjellon dy galaktika jashtëzakonisht të ndritshme, e para mendohet të jetë formuar 350 milionë vjet pas Big Bengut dhe tjetra 450 milionë vjet më pas.

Naidu tha se do të nevojiteshin më shumë vëzhgime në infra të kuqe nga Webb përpara se të pretendonte të bëhej si mbajtës i ri i rekordit.

Megjithëse disa studiues raportojnë se kanë zbuluar galaktika edhe më afër krijimit të universit 13.8 miliardë vjet më parë, ata kandidatë ende nuk janë verifikuar, thanë shkencëtarët në një konferencë shtypi të NASA-s. Disa prej tyre mund të jenë galaktika të mëvonshme që imitojnë ato të mëparshmet, vunë në dukje ata.

“Kjo është një kohë shumë dinamike”, deklaron Garth Illingworth nga Universiteti i Kalifornisë, Santa Cruz, bashkëautor i artikullit të botuar të enjten. “Ka pasur shumë njoftime paraprake të galaktikave edhe më të hershme, dhe ne jemi ende duke u përpjekur të zgjidhim si një komunitet se cilat prej tyre ka të ngjarë të jenë reale”.

Tommaso Treu nga Universiteti i Kalifornisë, Los Anxhelos, shkencëtar kryesor për programin shkencor të lëshimit të hershëm të Webb, tha se provat e paraqitura deri më tani “janë aq të forta sa mund të jenë” për galaktikën që besohet se është formuar 350 milionw vjet pas shpërthimit të madh.

Nëse zbulimet verifikohen dhe më shumë galaktika të hershme janë atje, Raidu dhe ekipi i tij shkruan se Webb “do të rezultojë shumë i suksesshëm në shtyrjen e kufirit kozmik deri në prag të Big Bengut”.

“Kur dhe si u formuan galaktikat e para mbetet një nga pyetjet më intriguese”, shkruan studiuesit.

Jane Rigby e NASA-s, një shkencëtare e projektit me Webb, vuri në dukje se këto galaktika “ishin fshehur nën kufijtë e asaj që Hubble mund të bënte”.

“Ata ishin aty duke na pritur,” u tha ajo gazetarëve. “Pra, kjo është një surprizë e lumtur që ka shumë nga këto galaktika për t’u studiuar”.

Observatori prej 10 miliardë dollarësh – teleskopi më i madh dhe më i fuqishëm i dërguar ndonjëherë në hapësirë – ndodhet në një orbitë diellore 1,6 milionë km nga Toka. Operacionet e plota shkencore filluan gjatë verës dhe NASA që atëherë ka publikuar një seri fotografish mahnitëse të universit./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala