Teleskopi Hubble zbulon yllin më të largët ndonjëherë  

E kanë quajtur “Earendel” dhe është ylli më i largët dhe i vetëm i fotografuar ndonjëherë nga një teleskop.

Dritës nga ky objekt i janë dashur 12.9 miliardë vjet për të arritur në Tokë.

Është në atë lloj largësie që teleskopët normalisht do të ishin në gjendje t’i zgjidhnin vetëm galaktikat që kanë në vete miliona yje.

Mirëpo observatori hapësinor Hubble e ka zgjedhur Earendel-in individualisht duke e shfrytëzuar një fenomen natyror që është i ngjashëm me përdorimin e një lente zmadhimi.

Quhet lente gravitacionale dhe funksionon në atë mënyrë që kur ka një grup të madh galaktikash në vijën e shikimit, tërheqja gravitacionale nga kjo masë e materies do të përkulet dhe do ta zmadhojë dritën e objekteve më të largëta që janë të pozicionuara nga prapa.

“Ishim me fat. Kjo është vërtet diçka e jashtëzakonshme; është vërtet emocionuese të gjesh diçka me një zmadhim kaq të lartë,” ka deklaruar Brian Welch, student i doktoraturës nga Universiteti Johns Hopkins në Maryland, SHBA, për BBC News

Rekorderi i mëparshëm ishte një yll i quajtur Icarus. Edhe atëherë, i kapur nga Hubble, dritës nga ky yll iu deshën nëntë miliardë vjet për të arritur tek ne.

Prandaj Earendeli është dukshëm një yll më i largët. Ne jemi në gjendje ta shohim atë vetëm 900 milionë vjet pas Big Bengut, ose në një kohë kur Universi ishte vetëm në 6% të moshës së tij aktuale.

Emri Earendel vjen nga një fjalë e vjetër angleze që do të thotë “yll i mëngjesit” ose “dritë në rritje”. Nuk mund të shihet edhe aq shumë në foton e kapur nga Hubble – vetëm një njollë e zbehtë në një gjysmëhënë të gjatë drite të krijuar nga thjerrëza që është quajtur “Sunrise Arc”./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala