Talebanët urdhërojnë ndalimin e TikTok-ut dhe PUBG-së, thanë se po çojnë të rinjtë në "rrugë të keqe"

Talebanët kanë urdhëruar ndalimin e aplikacionit TikTok dhe lojës PUBG, duke këmbëngulur se ato po i çojnë të rinjtë afganë “në rrugë të keqe”.

Grupi militant tha se do t’i ndalojë gjithashtu kanalet televizive të cilat transmetojnë atë që konsiderohet si “material imoral”.

Ky vendim vjen pas ndalimeve të fundit të muzikës, filmave dhe telenovelave televizive.

Talebanët premtuan një qasje më të butë ndaj qeverisë kur e mori pushtetin vitin e kaluar, por ka kufizuar gjithnjë e më shumë liritë, veçanërisht liritë për gratë.

Grupi taleban ishte i njohur për versionin e tyre të ashpër të sundimit islamist që e karakterizoi qëndrimin e tyre të parë në qeveri midis viteve 1996 dhe 2001.

Zëdhënësi i talebanëve, Inamullah Samangani, tha se ndalimi i fundit ishte i nevojshëm për ta “parandaluar mashtrimin e brezit të ri”.

Por nuk është e qartë se kur do të hyjë në fuqi ndalimi në fjalë dhe për sa kohë.

Kjo është hera e parë që talebanët e kanë ndaluar një aplikacion që kur ata erdhën në pushtet gushtin e kaluar.

TikTok dhe PUBG ishin bërë edhe më të rëndësishme për të rinjtë afganë muajt e fundit, sepse shumë forma të tjera argëtimi janë ndaluar, thotë redaktori i Shërbimit afgan të BBC-së, Hameed Shuja.

Veçanërisht TikTok ka qenë i popullarizuar tek të rinjtë që kënaqeshin duke filmuar video të shkurtra humoristike, duke i postuar ato në platformë, thotë Hameed Shuja.

PUBG, që është shkurtesa për lojën PlayerUnknown’s Battlegrounds, është një lojë me të shtëna me armë në internet, e krijuar nga një zhvillues koreano-jugor, e cila gjithashtu ka qenë mjaft e njohur. Një përpjekje e mëparshme e ish-qeverisë për ta ndaluar PUBG-në përfundoi e pasuksesshme.

Numri i përdoruesve të internetit në Afganistan është rritur me shpejtësi vitet e fundit, së bashku me popullsinë e saj të re, me rreth 9 milionë përdorues aktualisht.

Gati dy të tretat e popullsisë prej 39 milionë banorëve, janë të moshës 25 vjeç e lart.

Ndalimi i TikTok-ut dhe PUBG-së u njoftua të enjten, në të njëjtën ditë kur katër shpërthime të veçanta ndodhën nëpër qytete të ndryshme në të gjithë Afganistanin, duke përfshirë një xhami shiite në qytetin Mazar-e-Sharif.

Të paktën 31 persona u vranë dhe 87 u plagosën. Grupi Shteti Islamik ka pranuar se ka kryer sulmin. Të enjten agjencia shtetërore e lajmeve “Bakhtar News” raportoi se talebanët kishin arrestuar organizatorin e sulmit në xhami./BBC