Studimi - Reduktimi i përdorimit të rrjeteve sociale me 50 për qind ndikon pozitivisht në psikikën e të rinjve

Një studim i ri kanadez ka treguar se adoleshentët që e përgjysmojnë përdorimin e rrjeteve sociale, vërejnë përmirësime në pamjen e trupit të tyre brenda muajit të parë.

Adoleshentët kalojnë orë të tëra çdo ditë duke i shikuar ekranet e telefonëve të mençur, kryesisht duke shfletuar përmbajtje në rrjetet sociale si Instagram, TikTok dhe Snapchat. Reduktimi i sasisë së kohës së shpenzuar në rrjetet sociale mund ta përmirësojë imazhin e tyre për peshën dhe pamjen e tyre, zbulon studimi i lartpërmendur.

Një ekip shkencor nga Instituti i Kërkimeve të Ontarios Lindore kreu një studim mbi 220 adoleshentë dhe të rinj të cilët shpenzonin të paktën dy orë në ditë në telefonat e tyre. Bëhet fjalë për të rinj nga mosha 17 deri në 25 vjeç, të cilët kishin edhe simptoma depresioni apo ankthi.

Studimi dhe rezultatet e tij

Pjesëmarrësve të studimit iu kërkua të përgjigjen një sërë deklaratash në lidhje me pamjen dhe peshën e tyre të përgjithshme, dhe më pas e plotësuan një pyetësor të ngjashëm në fund të studimit.

Gjatë javës së parë të studimit, pjesëmarrësve iu tha t’i përdornin rrjetet e tyre sociale si zakonisht. Pas kësaj, gjysma u udhëzuan të përpiqeshin ta reduktonin përdorimin e tyre të mediave sociale në jo më shumë se 60 minuta në ditë.

Gjatë tri javëve të ardhshme, ata që u udhëzuan ta kufizonin përdorimin e tyre të mediave sociale e ulën atë me rreth 50 për qind, në një mesatare prej 78 minutash në ditë. Ndërkohë, grupi i kontrollit, të cilit iu tha ta përdorte atë si zakonisht, kalonte mesatarisht më shumë se tri orë në ditë në rrjetet sociale.

Studimi, i cili u botua në revistën Psychology of Popular Media, zbuloi se ata që e reduktuan kohën e tyre në mediat sociale kishin një përmirësim të ndjeshëm në qëndrimet e tyre në lidhje me pamjen e tyre të përgjithshme dhe peshën trupore. Nga ana tjetër, grupi i kontrollit nuk ka shfaqur ndryshime të rëndësishme.

Rrjetet sociale çojnë drejt idealeve të paarritshme të bukurisë

Adoleshenca është një periudhë e pambrojtur për zhvillimin e problemeve të pamjes së trupit, çrregullimeve të të ngrënit dhe sëmundjeve mendore. Mesatarisht, të rinjtë kalojnë nga gjashtë deri në tetë orë në ditë para ekraneve, kryesisht në rrjetet sociale. Rrjetet sociale mund t’i ekspozojnë përdoruesit ndaj qindra apo edhe mijëra pamje dhe fotove çdo ditë, duke përfshirë ato të të famshmëve dhe modeleve të modës apo fitnesit, të cilat ne e dimë se çojnë në përvetësimin e idealeve të bukurisë që janë të paarritshme për pothuajse të gjithë, duke rezultuar në peshë më të madhe trupore dhe e formësojnë pakënaqësinë, thotë Gary Goldfield, autori kryesor i studimit.

Shkencëtarët theksojnë se përdorimi më i vogël i mediave sociale mund të jetë një mënyrë për ta prodhuar një efekt pozitiv afatshkurtër në pamjen e trupit tek të rinjtë e pambrojtur.

“Ndërhyrja jonë e shkurtër katër-javore duke i përdorur pajisjet e gjurmimit të kohës para ekranit tregoi se reduktimi i përdorimit të mediave sociale çoi në përmirësime të rëndësishme në qëndrimet e të rinjve për pamjen dhe peshën”, përfundoi Goldfield./Daily Mail

Përgatiti: Nuhi Shala