Stellantis synon ta dominojë tregun e veturave elektrike në Evropë

Edhe pse Tesla është ende sinonim i veturave elektrike për shumë njerëz, situata e tregut po ndryshon ngadalë. Përveç kompanive kineze gjithnjë e më të njohura, së fundmi mund të shohim edhe rezultatet e investimeve në elektrifikim nga kompanitë tradicionale të veturave.

Këtë mund ta themi veçanërisht për Volkswagen Group, por edhe Stellantis ka plane të mëdha në këtë treg. Sipas Shefit Ekzekutiv të Stellantis, Carlos Tavares, plani i tyre është të bëhen lider në tregun e veturave elektrike në tregun evropian dhe ata janë në rrugë të mirë për ta bërë planin realitet.

Gjatë shpalljes së rezultateve të biznesit dhe shitjeve për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Tavares iu referua të dhënave të Dataforce, sipas të cilave Stellantis e ka tejkaluar Teslën në një pjesë të tregut evropian dhe po i afrohet kompanisë lider, Volkswagen Group.

Sipas këtyre të dhënave, të cilat i referohen numrit të veturave elektrike të regjistruara (ekskluzivisht automjete elektrike, jo hibride) në territorin e vendeve të BE-së dhe Britanisë së Madhe, Zvicrës, Islandës dhe Norvegjisë, por jo në Portugali, Suedi dhe Finlandë, VW Group gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ka shitur pak më shumë se 116 mijë vetura, ndërsa Stellantis është pak mbrapa dhe ka shitur pak më shumë se 105 mijë. Sa i përket Tesla-s, kompania e Musk zuri vendin e tretë me pak më shumë se 78,000 automjete të shitura.

Sipas analistit Matthias Schmidt, rritja e shitjeve në tregun Stellantis të Evropës Perëndimore mund t’i atribuohet kërkesës së lartë për gjeneratën e re të Fiat 500 elektrike, dhe modeli Peugeot e-208 gjithashtu regjistroi shifra të shkëlqyera shitjesh. Tesla (Model Y dhe Model 3) zuri dy vendet e para për sa i përket shitjeve të modeleve individuale në tregjet e përmendura, ndërsa Fiat 500 është në vendin e tretë. Peugeot e-208 është në vendin e katërt, ndërsa një veturë e Grupit VW – Škoda Enyaq – është vetëm në vendin e pestë.

Duhet theksuar se në gjysmën e dytë të vitit, VW dhe Stellantis do të kenë më shumë konkurrencë se Tesla, e cila u ndikua nga bllokimi në Kinë në fillim të këtij viti, si dhe do të përshpejtohet edhe prodhimi në fabrikën në Gjermani./Automotive News Europe