Foto: Snapchat

Snap prezanton dronin për selfie

Droni Pixy kushton 230 dollarë dhe një komplet me bateri shtesë dhe karikues të dyfishtë shitet për 250 dollarë.

Edhe pse Snap është më i njohur për rrjetin e tij social Snapchat, 5 vite më parë ata prezantuan produktin e tyre të parë harduer – syzet Spectacles. Syzet Snapchat janë specifike në atë që vijnë me kamera dhe mund të regjistrojnë video të shkurtra për t’i postuar në atë rrjet.

Snap zbuloi dje produktin e tij të ri harduer – dronin selfie Pixy. Siç mund ta shihni nga videoja e bashkangjitur, bëhet fjalë për një pajisje me përmasa të vogla që do të mund të futet në një xhep pak më të madh. Një aparat fotografik 12 MP që kap video 2.7k me 30 korniza për sekondë duhet të kujdeset për t’i shkrepur fotot dhe videot më të mira të mundshme.

Ajo që është veçanërisht interesante është se ky dron nuk ka kursor për kontrollim, por përdoruesit mund të zgjedhin një nga katër mënyrat për të fluturuar në mënyrë që të mund të rri pezull përpara përdoruesit, të fluturojë rreth tij ose, më interesantja, t’i ndjekë ata në lëvizje. Përmbajtja e regjistruar transferohet automatikisht në Snapchat dhe përdoruesit mund ta modifikojnë dhe dërgojnë foto dhe video në platforma të tjera.

Duke qenë se është një pajisje e vogël, problemi më i madh i saj qëndron te bateria 860 mAh, e cila mund të regjistrojë pesë deri në tetë fluturime.

Megjithatë, lajmi i mirë është se bateria është e zëvendësueshme dhe bateria shtesë shitet për 20 dollarë. Çmimi i këtij droni për selfie është 230 dollarë, dhe një karikues për dy bateri është në dispozicion për 50 dollarë. Snap thotë se paketa me dronin, baterinë shtesë dhe karikuesin shtesë do të shitet për 250 dollarë.

Pixy ka 16 GB hapësirë ​​ruajtëse që mund të mbajë deri në 100 video ose rreth një mijë foto, dhe gjithashtu ka mbështetje për ëiFi dhe Bluetooth.

Duke qenë se Snapchat është një rrjet jashtëzakonisht i popullarizuar dhe që jetojmë në një kohë kur shumë janë të fiksuar pas bërjes së selfieve, duket se kjo pajisje mund të jetë interesante për shumëkënd, sepse do t’ju lejojë të bëni video dhe foto nga një këndvështrim krejtësisht i ri./Cnet

 

Përgatiti: Nuhi Shala