Sistemi i ri operativ iOS 14.6 vjen me disa risi interesante

Sistemi i ri operativ i Apple sjell një aplikacion të ridizenjuar Podcasts, një lloj të ri parapagimi (subscription) dhe mbështetje për formatin audio të pakompresuar.

Apple sot lëshon azhurnimin më të fundit për iOS 14.6, i cili është përqendruar kryesisht në përmirësimin e zërit në platformat mobile të Apple. Versioni i ri i sistemit operativ do t’u lejojë abonentëve të Apple Music të dëgjojnë tinguj pa kompresim ose Dolby Atmos pasi të bëhet i disponueshëm muajin tjetër dhe ka parapagime të reja për Apple Podcasts, raporton Verge.

Tani e tutje, përdoruesit e Podcast mund të regjistrohen në përmbajtje brenda aplikacionit dhe në këmbim të marrin shfaqje jo-komerciale si dhe përmbajtje speciale shtesë duke përfshirë qasjen e hershme në programe të caktuara. Apple po mundëson gjithashtu në Podcaset aftësinë për markimin e të gjitha episodeve si të dëgjuara, për t’i rivendosur episodet e vjetra dhe për t’i fshirë skedarët e shkarkuar.

iOS 14.6 gjithashtu përfshin një numër përmirësimesh të tilla si një azhurnim AirTags që ju lejon të shtoni një adresë e-maili si një metodë kontakti nëse tagu humbet.

Sikurse më parë, versioni i fundit i iOS sjell rregullime të defekteve në kod dhe përmirësime të sigurisë. Apple ka rregulluar problemet me dështimin për të zhbllokuar iPhone me Apple Watch, defektet në kujtesë, mungesën e bllokimit të thirrjeve nga cilësimet, ngadalësimin e iPhone gjatë ndezjes dhe vështirësitë gjatë telefonatave përmes Bluetooth.

 

Përkthimi: Nuhi Shala