Sfida "Benadryl": Çfarë duhet të dinë prindërit për maninë e rrezikshme në TikTok?

“Sfida” e Benadryl nga TikTok është nxjerrë në dritë javët e fundit për shkak të vdekjes së një adoleshenti që u përpoq të merrte pjesë në çmendinë e rrezikshme të mediave sociale.

Një djalë 13-vjeçar nga Ohio vdiq pasi gëlltiti një sasi të konsiderueshme të tabletave ‘Benadryl’, të cilat i shkaktuan atij mbidozë, raporton ABC 6.

Babai i tij, Justin Stevens, ka deklaruar se adoleshenti ishte në shtëpi me miqtë e tij kur u vërejt me mbidozë. Miqtë e tij po e filmonin atë duke tentuar ta kryente sfidën përpara se gjërat të fillonin të përkeqësoheshin për Jakobin.

“Kur ai e kompletoi sfidën atëherë ishte shumë vonë për gjithçka”, tha babai për ABC 6.

Kjo është gjithçka që duhet të dini për ‘sfidën’, rreziqet e saj dhe çfarë mund të bëjnë prindërit për të pasur kontroll më të madh mbi përmbajtjen që e shikon fëmija i tyre.

Çka është sfida e Benadryl?

Sfida “Benadryl” është një trend në TikTok që i inkurajon pjesëmarrësit të gëlltisin pilula difenhidraminë në mënyrë që të nxisin halucinacione.

Ata më pas do të duhet t’i filmojnë efektet e tyre anësore dhe të postojnë një video në internet për ta dokumentuar përvojën e tyre.

Numri i pilulave që pjesëmarrësit inkurajohen të marrin është gati dyfishi i dozës së rekomanduar ditore dhe pothuajse 10 herë doza e rekomanduar për një periudhë gjashtë-orëshe.

Sfida u bë e njohur për herë të parë në vitin 2020. Gjatë të njëjtit vit, një adoleshente nga Oklahoma vdiq pasi mori pjesë në këtë sfidë.

Në një deklaratë për CNN, zyrtarë nga TikTok kanë janë shprehur se “ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjen. Në TikTok, ne e ndalojmë dhe heqim rreptësisht përmbajtjen që promovon sjellje të rrezikshme duke pasur si prioritet sigurinë e komunitetit tonë.

“Ne asnjëherë nuk e kemi parë këtë lloj tendence të përmbajtjes në platformën tonë dhe i kemi bllokuar kërkimet për vite për të ndihmuar në dekurajimin e sjelljes së kopjimit. Ekipi ynë prej 40,000 profesionistësh të sigurisë punon për t’i larguar shkeljet e Udhëzimeve tona në Komunitet dhe ne e inkurajojmë komunitetin tonë të raportojë çdo përmbajtje ose llogari për të cilën ata janë të shqetësuar.”

Çfarë duhet të dinë prindërit lidhur me sfidën “Benadryl”?

Difenhidramina është një ilaç i përdorur zakonisht që tregtohet me emrin Benadryl i cili mund të blihet pa recetë ose me recetë.

Është një antihistaminik që përdoret për t’i lehtësuar simptomat e alergjisë dhe përdoret veçanërisht gjerësisht në këtë periudhë të vitit. Mund të përdoret gjithashtu për njerëzit që kanë pagjumësi, pasi Shërbimi Kombëtar Shëndetësor (NHS) thotë se “ka më shumë gjasa t’ju bëjë të ndiheni të përgjumur sesa antihistaminet e tjera”.

Ilaçi mund të shkaktojë efekte anësore duke përfshirë përgjumje, shqetësim në stomak dhe marramendje.

Efektet anësore më të rënda përfshijnë rrahjet e parregullta të zemrës, ndryshimet e humorit, vështirësitë në frymëmarrje, krizat dhe marramendje ekstreme. Këto efekte anësore janë më të zakonshme kur tejkalohet doza e rekomanduar.

Sipas këshillave të NHS, një përdorues mund të bëhet i varur nga difenhidramina nëse merret për një periudhë të gjatë kohore dhe gjithashtu mund të mos jetë aq efektive. Përdoruesit paralajmërohen gjithashtu që të mos e marrin atë me alkool pasi kjo mund ta rrisë rrezikun e efekteve anësore.

Në dritën e sfidës virale të TikTok, Benadryl lëshoi një deklaratë në faqen e saj të internetit në SHBA në lidhje me keqpërdorimin e rrezikshëm të produktit të tij.

“Ne e kuptojmë se konsumatorët mund të kenë dëgjuar për një “sfidë” në internet që përfshin keqpërdorimin ose abuzimin e difenhidraminës. Sfida, e cila përfshin gëlltitjen e sasive të tepërta të difenhidraminës, është një prirje e rrezikshme dhe duhet të ndërpritet menjëherë.

“Po punojmë me TikTok dhe platforma të tjera sociale për ta hequr përmbajtjen që shfaq këtë sjellje. Ne do të kërkojmë partneritet në të gjithë industrinë dhe me palët kryesore të interesit për të trajtuar këtë sjellje të rrezikshme.”

Çfarë ka bërë TikTok për t’i luftuar këto lloj sfidash?

Ka një sërë rastesh kur TikTok ka lejuar që përmbajtje të rrezikshme si kjo ta mbushin aplikacionin.

Në vitin 2020, TikTok largoi hashtagun e sfidës Benadryl nga platforma e tij me shpresën për ta ndaluar këtë sfidë virale. Pas ringjalljes së tij të fundit, TikTok i largoi videot dhe i ridrejtoi përdoruesit në një faqe mbështetëse të substancave.

Aplikacioni në pronësi kineze ka ndërmarrë gjithashtu hapa për t’i lejuar prindërit të kenë kontroll më të madh mbi përmbajtjen që fëmijët mund të shohin.

Duke i lidhur llogaritë e fëmijës së tyre me llogaritë e tyre, prindërit mund të shohin se çfarë ekspozohen fëmijët e tyre. Ata janë gjithashtu në gjendje të kufizojnë kohën para ekranit në ditë dhe të kufizojnë se kush mund të dërgojë mesazhe private në llogari dhe llojin e përmbajtjes që shfaqet në furnizimin e tyre.

Ekziston gjithashtu një “modalitet i kufizuar” i cili mund të aktivizohet për ta kufizuar përmbajtjen e papërshtatshme./Upday.com.uk