Së shpejti telefonatat, por edhe përdorimi i aplikacioneve gjatë fluturimit me aeroplan

Pasagjerët e linjave ajrore brenda Bashkimit Evropian do të mund t’i përdorin plotësisht telefonat e tyre gjatë fluturimit nga viti i ardhshëm, raporton BBC.

Komisioni Evropian ka vendosur që linjat ajrore mund të ofrojnë teknologji 5G në avionë, me përdorim më të ngadaltë të të dhënave celulare.

Kjo do të thotë se pasagjerët nuk do të duhet ta vendosin më telefonin e tyre në modalitetin aeroplan gjatë fluturimit, megjithëse është ende e paqartë se si do të zbatohet ky vendim, raporton BBC.

Afati i fundit për anëtarët për të vënë në dispozicion 5G është caktuar më 30 qershor të vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë se pasagjerët do të mund t’i përdorin të gjitha funksionet e telefonit të tyre gjatë fluturimit, si thirrjet, por edhe aplikacionet për transmetim muzikor dhe video.

Thierry Breton, komisioneri i tregut të brendshëm të BE-së, tha se plani do t’u sigurojë njerëzve shërbime inovative dhe do të ndihmojë kompanitë evropiane të rriten ekonomikisht.

Tash e tutje qielli nuk do të jetë kufiri kur bëhet fjalë për mundësitë që ofron lidhja super e shpejtë me kapacitet të lartë, tha ai, siç raportohet nga BBC.

Dai ëhittingham, shefi ekzekutiv i Bordit të Sigurisë së Aviacionit të Britanisë, tha se vendosja e telefonave celularë në modalitetin e aeroplanit ka qenë më parë e rëndësishme për shkak të njohurive të pamjaftueshme rreth ndikimit të telefonave celularë në avion.

Ai shtoi se rrjeti 5G në Evropë funksionon në frekuenca që nuk ndërhyjnë me fluturimet./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala