Satelitët e Muskut po ua “terrojnë” shkencëtarëve universin
Radiovalët e rrjetit në rritje të satelitëve të Elon Muskut po ua bllokojnë shkencëtarëve aftësinë për ta zhbiruar universin, ka treguar një hulumtim i kryer në Holandë, ka raportuar të mërkurën (18.09.2024) transmetuesi britanik BBC.
Gjenerata e re e satelitëve Starlink, të cilët ofrojnë internet të shpejtë anembanë botës, po ndërhyjnë në radioteleskopë shumë më shumë krahasuar me versionet e mëparshme, thonë shkencëtarët.
Mijëra satelitë në orbitë po “qorrojnë” radioteleskopët dhe mund të vështirësojnë kërkimin astronomik, ka bërë të ditur Instituti Holandez për Radioastronomi (ASTRON).
SpaceX, që ka në pronësi Starlinkun, nuk i është përgjigjur kërkesës së BBC-së për koment.
Satelitët ofrojnë internet të gjerë anembanë botës, shpesh edhe në zona të thella, përfshirë mjediset sfiduese si Ukraina dhe Jemeni.
Ata përdoren edhe për lidhje me zona të thella në Mbretërinë e Bashkuar për internet më të shpejtë. Më 2022, testet treguan se Starlinku mund të ofrojë internet katërfish më të shpejtë se mesatarja, njoftoi Departamenti për Pajisje Digjitale, Kulturë, Media dhe Sport.
Por astronomët thonë se kjo po vjen me një kosto.
“Saherë që lansohen më shumë pajisje me këso nivele emetimesh, ne e shohim pak e më pak qiellin”, ka thënë profesoresha Jessica Dempsey, drejtoreshë e ASTON-it.
“Ne po mundohemi t’i shohim gjërat, si rrymat që emetohen prej vrimave të zeza në qendër të galaksive. Ne i shikojmë edhe disa prej galaksive të para, miliona e miliona vite drite larg, si dhe ekzoplanet”, ka thënë ajo, duke spikatur fushat ku rrezatimi satelitor po ndikon më së shumti.
Ndërhyrja prej satelitëve të gjeneratës së dytë, të njohur edhe si V2, ka dalë të jetë 32 herë më e fuqishme se e gjeneratës së parë.
Sasia e rrezatimi të transmetuar tejkalon rregullat e përcaktuara prej mekanizmit të industrisë, Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikimeve, ka thënë profesoresha Dempsey.
BBC-ja raporton se ka sugjerime se janë 6.402 satelitë të Starlinkut aktualisht në orbitë rreth 342 kilometra mbi Tokë, duke e kthyer në provajderin më të madh. Satelitët janë relativisht të mëdhenj – me panele të sheshta prej tri metrash dhe me rreze prej 8 metrash për energji diellore.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com