Samsung vjen me një risi për mbrojtjen e të dhënave personale
Në të kaluarën, ka pasur raste kur riparuesit e pajisjeve celulare kanë shkarkuar fotografi nga telefoni dhe këto fotografi pastaj kanë përfunduar në internet. Duke e marrë parasysh llojin e përmbajtjes që përdoruesit e mbajnë në telefonat e tyre të mençur sot, është e qartë se shumë njerëzve nuk u intereson kur e dorëzojnë pajisjen e tyre për riparim plot me përmbajtje private, shpesh intime.
Samsung ka dalë me një zgjidhje të shkëlqyeshme me të cilën ata duan të zgjidhin këtë problem, d.m.th. t’i parandalojnë riparuesit (ose këdo tjetër) të marrin fotografi dhe përmbajtje të tjera private nga pajisjet celulare. Zgjidhja për këtë problem quhet “modaliteti i riparimit”. Është një modalitet i veçantë që duhet të aktivizohet kur telefoni futet për riparim dhe që siguron mbrojtjen e të dhënave private.
Sipas Sam Mobile, përdoruesit duhet të zgjedhin se cilat të dhëna duan t’i mbrojnë brenda atij modaliteti – të tilla si fotot, mesazhet, qasje në rrjetet sociale dhe të ngjashme. Kur aktivizohet ky opsion, telefoni do të ristartojë, por qasja në pjesën më të madhe të përmbajtjes në të nuk do të jetë e mundur, kështu që teknikët e shërbimit do të kenë qasje në opsionet e sistemit, por jo në të dhënat e përdoruesit.
Për ta çaktivizuar opsionin, është e nevojshme ta rindizni telefonin dhe, kur e nisni, futni kodin PIN ose zhbllokojeni atë përmes biometrisë. Fillimisht, ky opsion do të jetë i disponueshëm për përdoruesit e telefonave të serisë Galaxy S21 (me sa duket vetëm në tregun e Koresë së Jugut), dhe më vonë do të jetë i disponueshëm për pronarët e telefonave të tjerë Samsung.
Kompania koreano-jugore së shpejti do t’i prezantojë gjeneratat e reja të telefonave inteligjentë elastikë, kështu që do të jetë interesante të shihet nëse këto modele të reja do ta kenë gjithashtu një opsion “repair mode” ose nëse, të paktën fillimisht, do të rezervohen vetëm për klasikët, jo edhe për pajisjet elastike./Sam Mobile