Samsung njofton për lansimin e smartfonëve të rinj të palosshëm, premiera e caktuar për 11 gusht 2021
Ky eveniment do të titullohet ‘Get ready to unfold’ dhe, siç sugjeron titulli, është e përqendruar në disa telefona inteligjentë me ekran të palosur.
Samsung ka njoftuar zyrtarisht datën kur do të zbulojë gamën e saj të re të telefonave inteligjentë: 11 gusht në orën 16:00. Kompania pritet ta prezantojë versionin tjetër të Galaxy Z Fold 3 dhe Galaxy Z Flip 3, për të cilët, falë informacionit të rrjedhur ‘aksidentalisht’, shumëçka dihet tashmë. Prodhuesi korean do të prezantojë gjithashtu orë të reja Galaxy që do ta përdorin platformën e kombinuar Wear të shpallur nga Google në evenimentin I/O.
Sa i përket vetë prezantimit, ai do të jetë plotësisht virtual, dhe Samsung do t’i ofrojë pajisjet në formën e një rezervimi para njoftimit të tyre zyrtar – kompania u premton të gjithëve atyre që i “rezervojnë” pajisjet – 12 muaj Samsung Care + ‘me një çmim të reduktuar’, raporton theverge.
Sipas imazheve të postuara nga Evan Blass, Galaxy Z Fold 3 duket sikurse versioni i kaluar i smartphone -it të palosshëm. Përditësimi i fundit do të jetë pajtueshmëria me stilolapsin digjital S Pen. Samsung ka lënë të kuptohet prej kohësh se ka në plan të sigurojë konfirmim për S Pen dhe përdoruesit e telefonave të mençur.
Sa i përket Galaxy Z Flip 3, përditësimi më i madh vjen nga jashtë ku Samsung do ta zëvendësojë ekranin e vogël me një ekran pak më të madh (por ende të vogël).
Samsung ka përmirësuar cilësinë e ekranit falë ‘Xhamit ultra të hollë’ nën mbrojtje plastike, por nëse planifikon t’i inkurajojë përdoruesit të përdorin një stilolaps plastik që të shkarravisin nëpër një ekran të ndjeshëm, ekrani palosës do të duhet të ketë mbrojtje më të mirë, raporton faqja amerikane për teknologji, Verge.
Megjithëse nuk do të jenë yjet e prezantimit, orët e reja inteligjente Galaxy do të kenë gjithashtu azhurnime pak më të mëdha sepse këto janë orët e para Galaxy që mbështesin Wear OS të Google. Deri më tani, Samsung ka përdorur një sistem operativ të bazuar në Tizen që ishte më i mirë se ai i Google, por nuk kishte asnjë aplikacion që vlen të përmendet. Me një kombinim të këtyre dy sistemeve që na presin këtë vit, ora e ardhshme nga Samsung do të jetë pasqyra e parë në pamjen e sistemit të ri Wear OS.
Përktheu: Nuhi Shala