Rrjetit Social 'Truth Social' të Donald Trump i mohohet qasja në Google Play

Google i ka mohuar rrjetit social Truth Social në pronësi të ish-presidentit amerikan fillimin e shpërndarjes në Play Store për shkak të shkeljeve të rregullave për promovimin e përmbajtjeve si kërcënimet fizike dhe nxitja e dhunës, duke e vështirësuar kështu qasjen për përdoruesit e Android, raporton BBC.

Shefi Ekzekutiv i Truth Social, Devin Nunes më parë e quajti Google një ‘monopol’. Ndërkohë që aplikacioni nuk mund të shkarkohet në Android të paktën për momentin, ai është ende i disponueshëm në App Store ku kishte një numër të madh problemesh teknike.

Shefi Ekzekutiv i Truth Social shtoi javën e kaluar se nëse Google nuk e dëshiron Truth Social, ky është vendimi i tyre, por Google pretendon se Truth Social është përgjegjës për atë se si qëndrojnë punët aktualisht.

Një zëdhënës i Google i tha BBC-së se më 19 gusht, kompania e paralajmëroi Truth Social për mospërputhje me rregullat e dyqanit. “Pasja e sistemeve efektive të moderimit është një kërkesë për çdo aplikacion në Google Play,” shtuan ata.

Kompania gjithashtu pretendon se ka ofruar këshilla të Truth Social se si të rregullohet problemi.

Truth Social, i njohur si vendtakimi i së djathtës amerikane, e quan veten një platformë ‘fjala e lirë’, kur në fakt ajo ka shumë rregulla për atë që mund dhe nuk mund të postosh. Platforma, ju kujtojmë, u themelua nga Donald Trump në mënyrë që ai të mund t’i publikonte njoftimet e tij në të. Ju kujtojmë se llogaria e Trump u bllokua në Facebook dhe Tëitter pasi mbështetësit e tij e sulmuan ndërtesën e Kongresit në janar 2021.

Kritikët pohojnë gjithashtu se Truth Social ka një problem të madh me gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin, ndërsa një raport i publikuar më 29 gusht zbuloi aktivitetet e 47 profileve të verifikuara që promovonin teoritë e konspiracionit QAnon./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala