Rritje e madhe e shitjeve të automjeteve elektrike në tregun global

Një kombinim i faktorëve të ndryshëm i ka vënë gjërat në lëvizje në tregun e automjeteve elektrike – nga rritja e ofertës në treg dhe subvencionet e qeverisë deri tek rritja e çmimeve të karburantit. Dhe sa po rritet kërkesa për automjete elektrike, shihet më së miri në të dhënat e kompanisë analitike Canalys për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Krahasuar me një vit më parë, tregu global ka shënuar një rritje prej 63 për qind dhe duhet theksuar se kjo kompani analitike ka pasur parasysh edhe automjetet elektrike dhe hibridet plug-in.

Rezultatet më të mira u arritën në tregun kinez. Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në vendin më të populluar në botë janë shitur 2.4 milionë automjete elektrike, që përfaqëson më shumë se një të katërtën e tregut total të automjeteve dhe një rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, kur pesha e automjeteve elektrike në tregun kinez ishte dhjetë për qind.

Krahasuar me tregun global, deri në 57 për qind e automjeteve elektrike u shitën në Kinë, treguan të dhënat e Canalys. Këtu tregu dominohet nga kompania BYD, automjetet e së cilës zënë 6 deri në 10 makinat më të shitura në Kinë.

Pas Kinës, Evropa zë pjesën më të madhe me 27 për qind të tregut. Në kontinentin tonë janë shitur 1.1 milionë automjete elektrike, që përbën 20 për qind të të gjitha automjeteve të shitura gjatë gjysmës së parë të vitit, që është një rritje në krahasim me vitin 2021, kur shitja ishte 16 për qind. Në Evropë, për shkak të situatës aktuale, shitjet janë ngadalësuar në krahasim me vitin e kaluar, si dhe është shënuar rënie e kërkesës për hibride. Për sa i përket e-veturave më të njohura, dy vendet e para i zuri Tesla me modelet Y dhe 3.

Në vendin e tretë është SHBA – që zë 10 për qind të tregut të përgjithshëm të automjeteve elektrike, ndërsa në raport me pjesën totale të automjeteve të shitura në atë vend, pjesa e automjeteve me motor elektrik është rritur nga 3 në 6 për qind. Tregu amerikan dominohet nga Tesla, e cila ka marrë 60 për qind të tregut të automjeteve elektrike./Arena EV