Raporti: Inteligjenca Artificiale mund ta zëvendësojë ekuivalentin e 300 milionë vendeve të punës

Inteligjenca artificiale (AI) mund ta zëvendësojë ekuivalentin e 300 milionë vendeve të punës me kohë të plotë, thotë një raport nga banka investuese Goldman Sachs. 

Me fjalë tjera, AI mund ta zëvendësojë një të katërtën e detyrave të punës në SHBA dhe Evropë, por mund të nënkuptojë gjithashtu vende të reja pune dhe një bum produktiviteti.

Dhe përfundimisht mund ta rrisë vlerën totale vjetore të mallrave dhe shërbimeve të prodhuara globalisht me 7%.

Inteligjenca artificiale gjeneruese, e aftë të krijojë përmbajtje të padallueshme nga puna njerëzore, është “një përparim i madh”, thotë raporti.

Perspektivat e punësimit

Qeveria është e prirur t’i promovojë investimet në AI në Mbretërinë e Bashkuar, për të cilën thotë se “në fund do ta nxisë produktivitetin në të gjithë ekonominë” dhe është përpjekur të sigurojë publikun për ndikimin e saj.

“Ne duam të sigurohemi që AI është duke plotësuar mënyrën se si ne punojmë në Mbretërinë e Bashkuar, duke mos e prishur atë – duke i bërë punët tona më të mira, në vend që t’i heqim ato”, ka deklaruar për mediumin britanik The Sun Sekretarja e Teknologjisë Michelle Donelan.

Raporti vëren se ndikimi i AI do të ndryshojë në sektorë të ndryshëm – 46% e detyrave në administratë dhe 44% në profesionet ligjore mund të automatizohen, por vetëm 6% në ndërtim 4% në mirëmbajtje, thotë raporti i lartcekur.

BBC Neës ka raportuar më parë lidhur me shqetësimet e disa artistëve që Inteligjenca Artificiale mund t’i dëmtojnë perspektivat e tyre të punësimit.

Paga më të ulëta’

“E vetmja gjë për të cilën jam i sigurt është se nuk ka asnjë mënyrë për të ditur se sa vende pune do të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale gjeneruese”, thotë Carl Benedikt Frey, drejtor i ardhshëm i punës në Shkollën Oxford Martin, Universiteti i Oksfordit, për BBC Neës.

‘”Ajo që bën ChatGPT, për shembull, është të lejojë më shumë njerëz me aftësi mesatare të shkrimit të prodhojnë ese dhe artikuj.

“Prandaj, gazetarët do të përballen me më shumë konkurrencë, gjë që do t’i ulte pagat nëse nuk shohim një rritje shumë të ndjeshme të kërkesës për punë të tilla.

“Konsiderojeni prezantimin e teknologjisë GPS dhe platformave si Uber. Papritur, njohja e të gjitha rrugëve në Londër kishte shumë më pak vlerë – dhe kështu ngasësit aktualë pësuan ulje të mëdha pagash si përgjigje, prej rreth 10% sipas hulumtimit tonë.

“Rezultati ishte paga më e ulët, jo më pak shoferë.

“Gjatë viteve të ardhshme, AI gjeneruese ka të ngjarë të ketë efekte të ngjashme në një grup më të gjerë detyrash krijuese”.

Skepticizëm

Sipas hulumtimit të cituar nga raporti, 60% e punëtorëve janë në profesione që nuk ekzistonin në vitin 1940.

Mirëpo, studime të tjera sugjerojnë se ndryshimi teknologjik që nga vitet 1980 i ka zhvendosur punëtorët më shpejt sesa ka krijuar vende pune.

Dhe nëse AI gjeneruese është sikurse progreset e mëparshme të teknologjisë së informacionit, përfundon raporti, ajo mund ta zvogëlojë punësimin në një afat të shkurtër.

Ndikimi afatgjatë i AI, megjithatë, ishte shumë i pasigurt, thotë shefi ekzekutiv i institutit të mendimit të Fondacionit Rezolucioni, Torsten Bell, për BBC News, “kështu që të gjitha parashikimet e forta duhet të merren me një skepticizëm”.

“Nuk e dimë se si do të evoluojë teknologjia apo se si kompanitë do ta integrojnë atë në mënyrën se si punojnë”, thotë ai.

“Kjo nuk do të thotë se AI nuk do ta prishë mënyrën se si ne punojmë – por ne duhet të përqendrohemi gjithashtu në përfitimet e mundshme të standardeve të jetesës nga puna me produktivitet më të lartë dhe shërbimet më të lira për t’u udhëhequr, si dhe rreziku për të mbetur prapa nëse kompanitë dhe ekonomitë e tjera përshtaten më mirë me ndryshimet teknologjike.”/BBC

Përgatiti: Nuhi Shala