Prodhuesi i çipave ‘Intel’ planifikon largimin e mbi 15 mijë punonjësve
Prodhuesi amerikan i çipave “Intel” planifikon largimin nga puna të mbi 15 mijë punëtorëve, derisa po mundohet të ringjallë biznesit dhe të mbajë hapin me konkurrentët, raporton televizioni britanik, BBC.
Aksionet në kompani ranë për mbi 20 për qind pasi bëri të ditur vendimet e reja, dhe u raportua edhe për rënie të shitjeve. Lajmi nga “Intel” ka goditur edhe gjigantët e tjerë të teknologjisë dhe i kontribuoi rënies së madhe në tregjet aziatike të stoqeve.
BBC raporton se kompania ka pasur telashe pasi konkurrentë të saj kanë prodhuar më shumë çipa përmes inteligjencës artificiale (AI).
Indeksi i aksioneve i “Nikkei” në Japoni u mbyll me 5.8 për qind rënie, përqindja më e madhe e rënies prej marsit të vitit 2020 në fillim të pandemisë së coronavirusit. Kompanitë japoneze të teknologjisë konsiderohet se do të jenë humbëset më të mëdha prej këtij zhvillimi.
BBC-ja raporton se “Nikkey” e mbylli ditën me rënien e dytë më të madhe në historinë e vet, duke ngritur shqetësime për fuqinë e ekonomisë amerikane për të prekur stoqet ndërkombëtare.
Ulja e ritmit të prodhimit të firmave amerikane shkaktoi frikë se ekonomia po dobësohet dhe ka ngritur interesimin për të dhënat e fundit të vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara që pritet të publikohen pasdite sipas kohës lokale amerikane.
Tri indekset e mëdha të aksioneve në Shtetet e Bashkuara u mbyllën me rënie të enjten, dhe aksionarët e mëdhenj me emër, përfshirë Amazonin, vazhduan të kishin rënie në orët pas lajmit.
Përgatiti: Rexhep Maloku