Prezantohet automjeti solar Lightyear 0

Lightyear 0 nëpërmjet paneleve diellore mund të përshkojë një rrugë me rreth 70 km në ditë.

Kompania Lightyear prej vitesh zhvillon një automjet solar, pra një automjet elektrik që ka panele diellore në të, përmes të cilave mund të karikohet bateria. Pas gjashtë viteve të zhvillimit të prototipit Lightyear One, javën e kaluar ata zbuluan dizajnin e tij përfundimtar, por edhe një emër të ri – Lightyear 0.

Prodhimi është vendosur të fillojë këtë vjeshtë, ndërsa dërgesat e para priten në nëntor. Është planifikuar prodhimi i 946 copëve të kësaj makine dhe të gjithë të interesuarit për këtë makinë do të mendojnë mirë për blerjen e saj, sepse për të njëjtën shumë mund të marrin një makinë sportive të shtrenjtë. Gjegjësisht, çmimi fillestar i modelit Lightyear 0 është 250 mijë euro.

Veçoritë e publikuara në faqen e këtij startup-i holandez janë mjaft interesante sepse diapazoni me një karikim të vetëm prej 60 këh baterie është 625 km me shpejtësi maksimale 160 km/h, ndërsa nga 0 deri në 100 km/h nevojiten dhjetë sekonda.

Ajo që e bën automjetin më të veçantë, pra, janë panelet diellore, dhe një ditë e tillë karikimi duhet të jetë e mjaftueshme për një distancë deri në 70 km. Sipas Kompanisë Lightyear, falë karikimit diellor, makina mund të udhëtojë më shumë se 1000 km ndërmjet dy karikimeve të baterive. Sigurisht që një gjë e tillë është e mundur në kushte të veçanta dhe të dhënat i referohen një vozitjeje verore në Amsterdam prej 50 km në ditë.

Në një vit, falë paneleve diellore, diapazoni mund të rritet deri në 11 mijë km.

Bashkëthemeluesi dhe Shefi Ekzekutiv i Lex Hoefslooth, gjatë prezantimit të automjetit, tha se është e qartë për të gjithë se kërkesa për automjete elektrike do të rritet me kalimin e viteve, por rritja e shitjeve nuk do të shoqërohet me infrastrukturë dhe një numër të mjaftueshëm të stacioneve të karikimit. Në vend të baterive me kapacitet më të lartë, prodhimi i të cilave, thotë Hoefslooth, rrit gjurmën e karbonit, zgjidhja që ofron Lightyear janë bateritë me diapazon më të madh, por me kapacitet më të ulët me emetim më të ulët të gazrave serrë.

Problemi me një qasje të tillë është, shumë qartë, çmimi. Por Electrek thotë se kompania është duke punuar në zhvillimin e një modeli të ri, të përballueshëm me çmim rreth 30,000 euro. Një model të tillë mund ta presim në treg në fund të vitit 2024 ose në fillim të vitit 2025, por për momentin nuk ka shumë informacione për të, përveç se është duke u zhvilluar me emrin Lightyear 2./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala