Popullariteti i TikTok-ut në rritje, fitimet janë dyfishuar në vitin 2020

Fitimi dhe të ardhurat e pronarit kinez të TikTok-ut u dyfishuan në vitin 2020, duke e konfirmuar popullaritetin e këtij aplikacioni gjatë coronavirusit. Të ardhurat totale të “ByteDance” e tejkaluan 111 përqindshin nga viti i kaluar, duke shkuar në 34.3 miliardë dollarë, citon BBC një letër të brendshme nga menaxhmenti i TikTok-ut për punëtorët e tij, raporton portali kroat tportal.hr.

Fitimi bruto gjithashtu u dyfishua në 19 miliardë dollarë. Kompania e mbylli vitin me një humbje neto prej 45 miliardë dollarësh për shkak të një rregullimi të njëhershëm të kontabilitetit, i cili nuk ndërlidhet me biznesin e saj.

Letra gjithashtu tregoi se “ByteDance” regjistroi rreth 1.9 miliard përdorues aktivë në muaj në të gjitha platformat në fund të dhjetorit të kaluar.

Një zëdhënës i “ByteDance” i konfirmoi këto të dhëna për BBC.

Të dhënat për rezultatet vjetore përkuan në kohë mbi presionin e rritur të rregullatorit të TikTok dhe gjigantët e tjerë të teknologjisë kineze, si jashtë ashtu edhe brenda Kinës.

Reuters njoftoi të enjten se një urdhër ekzekutiv i nënshkruar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden këtë muaj do t’i detyrojë disa aplikacione kineze të vihen në mbrojtje më të ashpër të privatësisë së të dhënave nëse duan të vazhdojnë të bëjnë biznes në SHBA.

Kompanitë kineze e kanë gjetur veten nën një inspektim nën dyshimin se sigurimin e të dhënave të përdoruesve po e vënë në dispozicion për qeverinë kineze. TikTok i mohon pretendimet e tilla.

Biden anuloi dekretin e ish-presidentit Donald Trump, i cili e ndalonte TikTok dhe WeChat të bënin biznes në SHBA, kujton BBC. Kjo ndalesë është sfiduar në gjykatë dhe madje nuk ka hyrë ende në fuqi.

Departamenti i Tregtisë amerikane ka deklaruar se në vend të kësaj do të shqyrtojë aplikacionet e krijuara dhe të zhvilluara nga kompanitë “nën juridiksionin e kundërshtarëve të huaj” të SHBA, të tilla si Kina.

Nga ana tjetër, rregullatori kinez u bëri thirrje 13 platformave të internetit, përfshirë “ByteDance”, që të veprojnë në përputhje me rregullat më të rrepta të konkurrencës kur ofrojnë shërbime financiare.

Qëllimi është të parandalojmë sjelljen monopolistike dhe “zgjerimin kaotik të kapitalit”, thanë rregullatorët, sipas BBC.

Përkthimi: Nuhi Shala