Miliarderi Elon Musk, Foto: TED, Video

Pas blerjes së Twitter-it, plani tjetër i Musk mund të jetë TikTok-u

Në një kohë të shkurtër, TikTok është kthyer në një nga rrjetet sociale dhe video-shërbimet më të njohura me ndikim të madh në botën virtuale dhe reale. Por shumë kohë përpara TikTok, ekzistonte një tjetër video-shërbim që ishte jashtëzakonisht i popullarizuar, dhe përmes të cilit përdoruesit mund të regjistronin dhe shpërndanin video të shkurtra me miqtë. Bëhet fjalë për Vine, e cila u ble nga Twitter menjëherë pas lansimit të saj në vitin 2012.

Por kjo blerje nuk doli të ishte shumë e suksesshme. Problemet nisën pasi disa nga krijuesit më të njohur filluan të largoheshin nga shërbimi, kryesisht për shkak të pamundësisë për të fituar para dhe për të reklamuar në të. Edhe pse pritshmëritë ishin të larta, Vine përfundimisht nuk arriti t’i përmbushë ato, kështu që Twitter e mbylli këtë platformë në vitin 2016. Një nga bashkëthemeluesit e kompanisë dhe ish-shefi ekzekutiv Jack Dorsey tha më vonë se i vinte keq për vendimin për të mbyllur Vine, veçanërisht pasi videot janë bërë jashtëzakonisht të njohura në mediat sociale me kalimin e kohës.

Megjithatë, duket se Vine mund të ringjallet sërish, sigurisht falë Elon Musk. Shefi i ri i Twitter, i cili i shkarkoi menjëherë disa nga drejtorët e mëparshëm në ditën e parë dhe mund të prezantojë një abonim mujor deri në 20 dollarë për Twitter Blue, po mendon të rikthejë shërbimin e zhdukur.

Ai i ka pyetur ndjekësit e tij në Twitter nëse dëshironin që ai ta kthente Vine dhe në një kohë të shkurtër rreth 2 milionë përdorues të rrjetit iu përgjigjën sondazhit të tij dhe pothuajse 70 për qind e tyre dhanë një përgjigje pozitive. Ndërkohw qw komunikonte me ndjekësit përmes Twitter, Musk i pyeti ndjekësit e tij se si mund ta bënin Vine më të mirë se TikTok, duke e bërë të qartë se ku po mendonte.

Për momentin nuk janë bërë të ditura plane zyrtare lidhur me rikthimin e Vine, por disa media kanë raportuar se Musk tashmë e ka prezantuar idenë brenda kompanisë dhe se dëshiron që Vine e re të jetë në dispozicion deri në fund të vitit./Business Insider

Përgatiti: Nuhi Shala