OKB thirrje Musk-ut t’i respektojë të drejtat e njeriut në Twitter

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Tuerk, i bëri thirrje pronarit të ri të Twitter-it, Elon Musk, të sigurojë respektimin e të drejtave të njeriut në rrjetin social, në një letër të hapur të publikuar të shtunën.

“Ju lutemi bëni gjithçka që mundeni për t’i bërë të drejtat e njeriut esenciale në punën e Twitter nën udhëheqjen tuaj”- shkroi Tuerk.

“Respektimi për të drejtat tona të përbashkëta të njeriut duhet të veprojë si garanci për përdorimin dhe zhvillimin e platformës dhe si të gjitha kompanitë, Twitter duhet të kuptojë dëmet që lidhen me platformën dhe të ndërmarrë hapa për t’i korrigjuar ato”- shtoi ai.

“Në këtë kuptim, lajmi se Elon Musk ka shkarkuar të gjithë ekipin e të drejtave të njeriut në Twitter nuk është, nga këndvështrimi im, një fillim inkurajues”- tha Tuerk.

Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, mori kontrollin e Twitter më 28 tetor pasi bleu këtë rrjet social për 44 miliardë euro.

Ai e shkarkoi menjëherë bordin e drejtorëve, shkarkoi drejtorët dhe më pas filloi të pushonte nga puna rreth gjysmën e 7500 punonjësve./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala