Foto: REL/Reuters

Një në dhjetë familje të eurozonës ka investuar në kriptovaluta

Banka Qendrore Evropiane paralajmëron për rreziqet që paraqesin kriptovalutat për stabilitetin financiar.

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) Christine Lagarde ka deklaruar se bitcoini, etheriumi dhe kriptovalutat e tjera janë në thelb të pavlefshme. Sipas paralajmërimit të mëhershëm të BQE-së, kriptovalutat jo vetëm që janë të pavlera, por përbëjnë edhe rrezik për stabilitetin financiar, veçanërisht nëse investimet në këtë sektor vazhdojnë si në dy vitet e fundit dhe nëse tërheqin institucionet financiare.

Krahasuar me kulminacionin në nëntor të vitit të kaluar, kur vlera e tregut të kriptove ishte rreth 2.9 trilionë dollarë, tani ajo ka rënë në 1.2 trilionë dhe shumë investitorë të vegjël dhe të mëdhenj përfunduan në një deficit të madh në gjysmë viti. Megjithëse rreziku është i njohur për të gjithë, bitcoin dhe kriptovalutat e tjera e tërheqin me mundësinë e fitimeve të shpejta, ndërkohë që shumë kriptovaluta konsideroheshin një investim i vlefshëm në një kohë me norma të ulëta interesi dhe inflacion në rritje.

Sipas një raporti mbi stabilitetin financiar të Bankës Qendrore Evropiane, dhe bazuar në hulumtimet në gjashtë vende, një në dhjetë familje të eurozonës i ka investuar paratë e tyre në kriptovaluta. Për shkak të një ekspozimi kaq të madh të përdoruesve privatë, por edhe për faktin se sektori financiar tradicional po shfaq interes për këtë industri, BE-ja po avokon rregullimin e tregut, por nuk do të jetë asgjë për të paktën dy vjet të tjerë.

Rreziku po rritet me lidhjen midis kriptomonedhës dhe sektorit financiar tradicional, paralajmëroi BQE, duke thënë se ekspozimi i bankave dhe institucioneve të tjera financiare ndaj kriptomonedhës do ta rriste rrezikun e kapitalit, por gjithashtu mund të ndikojë në besimin e investitorëve dhe tregun financiar në tërësi./Reuters