Një kombinim i tramvajit dhe autobusit, bateria e të cilit karikohet në 10 minuta

Në përputhje me “planet e gjelbra”, Transporti për Londrën (TfL) është zotuar ta zëvendësojë të gjithë flotën ekzistuese të autobusëve me autobusë elektrikë deri në vitin 2034, megjithëse do të përpiqet ta arrijë këtë qëllim edhe më herët, deri në vitin 2030. Aktualisht janë rreth 850 autobusë elektrikë në rrugët e metropolit britanik, autobusët, dhe nga viti i ardhshëm në itinerarin 358 do t’u bashkohet edhe një automjet tjetër interesant, një autobus elektrik i dizajnuar në mënyrë futuristike.

Autobusët do të lëvizin në itinerarin ndërmjet Crystal Palace dhe Orpington dhe do t’i karikojnë bateritë në ndalesa, dhe gjëja më interesante është se koha e karikimit duhet të jetë vetëm 10 minuta. Pra, kur autobusi të arrijë në kthesë, ai do të lidhet me një sistem të posaçëm të karikimit të shpejtë dhe, kur të vijë koha për t’u larguar përsëri, bateria do të jetë plot.

Autobusët janë blerë nga kompania spanjolle Irizar, e cila i cilëson si automjete të dizajnuara si tramvaje (thonë se është bërë si tramvaj në pamje dhe konfigurim të brendshëm), por që lejojnë fleksibilitetin e autobusëve të qytetit. Ato janë të disponueshme në versione nga 12 deri në 18 metra me një kapacitet maksimal prej 155 pasagjerësh. Një version 12 metra me një autonomi deri në 350 km, i cili strehon deri në 105 pasagjerë, do të lëvizë në rrugët e Londrës.

Pasagjerët gjithashtu kanë qasje në karikues USB për telefonat celularë dhe tabletët, një rrjet WiFi, butona të përshtatshëm për personat e verbër dhe me shikim të dobët dhe ndarjet e bagazheve. TfL thotë se ky kombinim i tramvajit dhe autobusit elektrik në itinerarin 358 është vetëm një pilotprojekt i cili, nëse rezulton i suksesshëm, do të shtrihet edhe në rrugët e tjera të transportit publik të Londrës./Electrek

Përgatiti: Nuhi Shala