Në rast se orbita e Jupiterit ndryshon anë, Toka mund të bëhet edhe më e përshtatshme për jetë

Nga të gjithë planetët e njohur për ne, Toka është i vetmi ku mund të zhvillohet jeta. Apo ndoshta nuk është kështu? Një studim i ri zbulon se nëse orbita e Jupiterit do të ndryshonte, Toka mund të ishte më mikpritëse për jetën sesa që është sot.

Kur një planet ka një orbitë të përkryer rrethore rreth yllit të tij, distanca midis yllit dhe planetit nuk ndryshon asnjëherë. Megjithatë, shumica e planetëve kanë orbita “të çuditshme” rreth yjeve të tyre, që do të thotë se orbita është në formë ovale. Kur një planet i afrohet yllit të tij, ai merr më shumë nxehtësi, gjë që ndikon në klimën.

Duke përdorur modele të detajuara të bazuara në të dhënat nga sistemi diellor siç njihet sot, studiuesit nga Universiteti Riverside në SHBA kanë krijuar një sistem diellor alternativ. Në atë sistem diellor teorik, ata zbuluan se nëse orbita e Jupiterit gjigant bëhej më e çuditshme, kjo nga ana tjetër do të shkaktonte ndryshime të mëdha në formën e orbitës së Tokës.

Nëse pozicioni i Jupiterit qëndron i njëjtë, por forma e orbitës së tij ndryshon, ai në fakt mund ta rrisë banueshmërinë e planetit tonë, thotë Pam Vervoort, shkencëtar dhe autori kryesor i një studimi të botuar në The Astrophysical Journal.

Midis zero dhe 100 gradë Celsius, sipërfaqja e Tokës është e banueshme për shumë forma të njohura të jetës. Nëse Jupiteri do ta shtynte orbitën e Tokës për t’u bërë më e çuditshme, disa pjesë të Tokës ndonjëherë do t’i afroheshin Diellit. Pjesë të sipërfaqes së Tokës që tani janë nën ngrirjen do të bëhen më të ngrohta, duke i rritur temperaturat në kufijtë e banueshëm.

Zbulimi i studimit të lartpërmendur rrëzon dy supozime të kahershme shkencore për sistemin diellor.

Shumë janë të bindur se Toka është mishërimi i një planeti të banueshëm dhe se çdo ndryshim në orbitën e Jupiterit, duke qenë se planeti është i madh, mund të jetë i keq vetëm për Tokën. Ne kemi treguar se të dyja supozimet janë të gabuara, thotë Vervoort.

Shkencëtarët janë të interesuar ta zbatojnë këtë zbulim në kërkimin e planetëve të banueshëm rreth yjeve të tjerë, pra ekzoplaneteve.

Gjëja e parë që njerëzit kërkojnë kur kërkojnë ekzoplanete është zona e banueshme, distanca midis yllit dhe planetit, për të parë nëse ka energji të mjaftueshme për ujë të lëngshëm në sipërfaqen e planetit, thotë Stephen Kane, astrofizikan dhe bashkëautor i studiimit në Universitetin Riverside.

Gjatë orbitës së tij, pjesë të ndryshme të planetit marrin pak a shumë rrezatim direkt nga ylli, duke rezultuar që planeti të ketë stinë. Pjesë të planetit mund të jenë të këndshme gjatë një stine dhe jashtëzakonisht të nxehta ose të ftohta në një tjetër.

Prania e ujit në sipërfaqe është një metrikë e parë shumë e thjeshtë dhe nuk e merr parasysh formën e orbitës së planetit apo ndryshimet sezonale që planeti mund të përjetojë, thekson Kane.

Teleskopët ekzistues janë në gjendje t’i masin orbitat e planetëve. Megjithatë, ka faktorë shtesë që mund të ndikojnë në banueshmërinë, siç është shkalla në të cilën planeti është i anuar drejt ose larg yllit. Pjesa e planetit e anuar nga ylli do të merrte më pak energji, gjë që do ta bënte atë më të ftohtë.

Nëse Jupiteri do të vendosej shumë më afër Diellit, do të shkaktonte anim ekstrem të Tokës, duke shkaktuar që pjesë të mëdha të sipërfaqes së Tokës të jenë nën pikën e ngrirjes, sugjeron një studim i ri.

Është më e vështirë për ta matur prirjen ose masën e një planeti, kështu që shkencëtarët do të donin të punonin në metoda që do t’i ndihmonin ata të vlerësonin edhe këta faktorë ekzoplanetësh.

Në fund të fundit, lëvizja e një planeti gjigant si Jupiteri është i rëndësishëm në kërkimin për ta parashikuar banueshmërinë e planetëve në sisteme të tjera, si dhe në kërkimin për ta kuptuar ndikimin e tij në këtë sistem diellor.

Është e rëndësishme ta kuptojmë ndikimin që Jupiteri ka pasur në klimën e Tokës me kalimin e kohës, si efekti i tij në orbitën tonë na ka ndryshuar në të kaluarën dhe si mund të na ndryshojë përsëri në të ardhmen, përfundon Kane./EurekAlert

Përgatiti: Nuhi Shala