Ndërprerjet e energjisë elektrike në Evropë, mund t’i ndalojnë përkohësisht rrjetet celulare

Rrjetet celulare në Evropë mund të jenë përkohësisht pa energji këtë dimër nëse qeveritë vendosin ta kufizojnë konsumin e energjisë, paralajmërojnë burime në sektorin e telekomit, i cili po i kontrollon rezervat e gjeneratorëve dhe po mendon për bateritë.

Zyrtarët e sektorit të telekomunikacionit kanë frikë se një dimër i ashpër mund ta testojë infrastrukturën e telekomunikacionit të Evropës dhe t’i detyrojë qeveritë të përpiqen ta zbusin efektet e shkurtimeve.

Aktualisht, shumë vende evropiane nuk kanë sisteme të mjaftueshme rezervë për të përballuar ndërprerjet më të mëdha të energjisë,thonë katër udhëheës të kompanive të telekomunikacionit, gjë që do ta bënte të pamundur përdorimin e telefonave celularë.

Vendet e Bashkimit Evropian, përfshirë Francën, Suedinë dhe Gjermaninë, po përpiqen të sigurojnë që komunikimet të vazhdojnë të funksionojnë normalisht edhe pse ndërprerjet e energjisë i shkarkojnë bateritë rezervë në mijëra transmetues celularë.

Evropa ka pothuajse gjysmë milioni transmetues, dhe shumica e tyre kanë bateri rezervë që zgjasin rreth 30 minuta.

Franca po kërkon bateri

Në Francë, planet e paraqitura nga shpërndarësi i energjisë elektrike Enedis përfshijnë një ndërprerje të mundshme deri në dy orë në rastin më të keq, sipas dy burimeve të njohura me çështjen në fjalë.

Energjia elektrike do të fiket plotësisht vetëm në disa pjesë të vendit, me parimin e rotacionit. Reduktimet do të kurseheshin vetëm për shërbimet thelbësore, të tilla si spitalet, policia dhe qeveria, thanë burimet.

Qeveria, operatorët e telekomit dhe Enedis, një divizion i shërbimeve shtetërore EDF, diskutuan këtë çështje gjatë verës, thanë qeveria franceze dhe burimet e saja.

Federata Franceze e Telekomunikacioneve (FFT), shoqata që përfaqëson kompanitë e telekomunikacionit Orange, Bouygues Telecom dhe Altice’s SFR, e përqendroi vëmendjen te distributori i energjisë elektrike pasi nuk i ka përjashtuar  edhe stacionet bazë nga kufizimet.

Enedis nuk pranoi ta komentonte përmbajtjen e bisedimeve me qeverinë për këtë çështje.

Franca ka rreth 62,000 transmetues dhe kompanitë nuk do të jenë në gjendje t’i pajisin të gjithë me bateri të reja, tha presidentja e FFT, Liza Bellulo.

Suedia financon gjeneratorët

Të dy kompanitë e telekomunikacionit në Suedi dhe Gjermani u kanë shprehur shqetësime qeverive të tyre për mungesat e mundshme të energjisë.

Rregullatori suedez i telekomunikacionit PTS njoftoi se po punon me kompanitë dhe agjencitë e tjera qeveritare për ta gjetur një zgjidhje. Temë e diskutimit është edhe plani për racionalizimin e konsumit të energjisë elektrike.

PTS po e financon blerjen e gjeneratorëve dhe stacioneve bazë të lëvizshme për periudha të mundshme më të gjata pa energji elektrike, tha zëdhënësi i kësaj kompanie.

Shoqata Italiane e Telekomunikacionit i tha Reuters se donte që rrjeti celular të përjashtohej në rast të ndërprerjeve ose furnizimit të reduktuar me energji elektrike, duke shtuar se ka si synim që ta diskutonte këtë çështje me qeverinë e re të Italisë.

Një ndërprerje e papritur e energjisë rrit shanset e dështimit të komponentëve elektronikë, thotë shefi i lobit të telekomunikacionit, Massimo Sarmi, në një intervistë për Reuters.

Zgjidhja e gjeneratorëve dhe për Deutsche Telekom

Prodhuesit e pajisjeve të telekomunikacionit Nokia dhe Ericsson po punojnë me operatorët celularë për të zbutur efektet e mungesës së energjisë, thanë tri burime të njohura me këtë çështje.

Dy kompanitë nuk kanë dashur të komentojnë këtë informacion.

Operatorët evropianë të telekomunikacionit duhet t’i analizojnë rrjetet e tyre për ta reduktuar konsumin e energjisë dhe duhet t’i modernizojnë pajisjet dhe të përdorin sisteme radio më efikase për energjinë, thanë katër udhëheqës të telekomunikacionit.

Për të kursyer energji, kompanitë e telekomunikacionit përdorin softuer që sigurojnë trafik optimal, fikin transmetuesit joaktivë dhe çaktivizojnë pjesë të caktuara të spektrit të frekuencës, sipas burimeve të informuara.

Në Gjermani, Deutsche Telekom ka 33,000 transmetues dhe sistemet e tij celulare të urgjencës mund ta mbështesin vetëm funksionimin e një numri të vogël të tyre në të njëjtën kohë, tha një zëdhënës i kompanisë.

Në rast të një ndërprerjeje më të gjatë të energjisë, Deutsche Telekom do të përdorë sisteme të emergjencës celulare të energjisë që mbështeten kryesisht në naftë, tha ai.

Vendet evropiane nuk kanë probleme me furnizimin me energji elektrike për dekada të tëra, kështu që ato përgjithësisht nuk kanë gjeneratorë që mund të garantojnë energji elektrike për një kohë të gjatë, shton në fund Reuters./Dnevnik.hr