NASA zbulon detaje të reja në lidhje me pasardhësin e teleskopit James Webb

Agjencia amerikane e hapësirës NASA ka zbuluar detaje të reja në lidhje me pasardhësin e teleskopit hapësinor James Webb prej 10 miliardë dollarësh.

Bëhet fjalë për teleskopin Habitable World Observatory (HWO), i cili do ta ketë për detyrë kërkimin e ekzoplaneteve në hapësirë ​​të ngjashme me Tokën dhe pritet të nisë në fillim të viteve 2040. Detaje të reja u zbuluan këtë javë, me drejtorin e Divizionit të Astrofizikës së NASA-s, Mark Clampin, duke theksuar se HWO është ende në fazat e planifikimit. Edhe pse NASA është ende duke i bashkërenduar detajet e teleskopit të gjeneratës së ardhshme, detajet e reja ende po shkaktojnë emocione për të ardhmen e astronomisë.

Dhe, ndërkohë që HWO është ende në fazën konceptuale, emri i saj e bën të qartë se cilat janë prioritetet e NASA-s. Vitet e fundit, agjencia amerikane e ka përqendruar më shumë vëmendjen në kërkimin e jetës jashtëtokësore dhe sateliti James Webb e ka konfirmuar ekzoplanetin e tij të parë. Megjithatë, HWO pritet t’i çojë gjërat në një nivel edhe më të lartë.

Teleskopi i ri do të projektohet në mënyrë që të mund të shërbehet dhe të përmirësohet nga robotët në hapësirë, gjë që nuk është rasti me teleskopin James Webb. Është e qartë se ky është një avantazh i madh sepse ëebb ndodhet larg Tokës, prandaj nuk do të shërbehet për pjesën tjetër të jetës së tij. Kështu robotët do të jenë në gjendje t’i ndryshojnë instrumentet sipas nevojës dhe janë pikërisht instrumentet që e bëjnë ndryshimin më të madh.

Webb është 1.5 milionë kilometra nga Toka, HWO do të jetë në një distancë të ngjashme dhe ndryshimi midis tyre është se Webb përdor dritën infra të kuqe, ndërsa HWO do të “kapë” dritën optike.

Megjithatë, HWO nuk është observatori i ardhshëm i NASA-s i planifikuar për nisje, ai në fakt është Nancy Grace i projektuar për të “gjuajtur” energjinë e errët dhe ekzoplanetet, dhe nisja duhet të bëhet në vitin 2027.

Deri më tani janë parë propozime të ndryshme për diçka që i ngjan HWO-së, duke përfshirë observatorin HabEx 4 metra dhe LUVOIR 15 metra. Ngjashëm me Webb, LUVOIR do ta përdorë një dizajn pasqyre të segmentuar, që do të thotë se një pasqyrë shumë më e madhe mund të paketohet në raketë. NASA vuri në dukje se shumë nga teknologjia e zhvilluar për LUVOIR dhe HabEx mund të përdoret gjithashtu për HWO.

Teleskopi Hapësinor Hubble është servisuar nga astronautët që udhëtojnë drejt tij në anijen hapësinore të NASA-s, por HWO ka të ngjarë të shërbehet nga robotë autonomë që po zhvillohen aktualisht nga NASA si pjesë e programit Artemis dhe udhëtimeve në Hënë.

NASA ka vënë në dukje se synon t’i përdorë njohuritë e marra nga programi James Webb për ta zhvilluar programin HWO sepse dëshiron t’i shmangë tejkalimet e kostove dhe vonesat.

HWO thuhet se do ta ketë një pasqyrë më të vogël se LUVOIR, por më të madhe se HabEx dhe Webb, e cila ka një pasqyrë me diametër 6.5 metra. Fakti që do të jetë i përdorshëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe do të thotë gjithashtu se dizajni origjinal nuk do të jetë domosdoshmërisht versioni i tij përfundimtar./Klix.ba

 

Përgatiti: Nuhi Shala