Mosha e përdoruesve të Instagram tash e tutje do të kontrollohet nga inteligjenca artificiale

Përdoruesve të Instagramit do t’iu duhet ta regjistrojnë një video-selfie të cilin pastaj do të analizojë një program i posaçëm ibazuar në Inteligjencën Artificiale, IA – ku qëllimi është që të parandalohen të miturit që të shfaqin përmbajtje për ata mbi 18 vjeç.

Rrjeti social i ka ndryshuar rregullat rreth shfaqjes së përmbajtjeve për adoleshentët për t’i mbrojtur të miturit nga përmbajtjet e dëmshme në rrjetin e tyre, por të rinjtë i anashkalojnë këto rregulla pa probleme të mëdha, duke i ndryshuar datat e tyre të lindjes. Por kësaj forme mashtrimi në Instagram po i vjen fundi së shpejti, të paktën për përdoruesit në SHBA, dhe ky rrjet social në Amerikë do të fillojë të aplikojë metoda të reja për ta konfirmuar moshën e saktë të përdoruesve.

Një nga këto tri metoda për shumë mund të jetë e diskutueshme sepse përfshin – regjistrimin e video selfie-ve. Dy metodat e tjera përfshijnë ngarkimin e një karte identiteti me të cilën të rinjtë mund ta konfirmojnë sa vjeç janë dhe tjetra është që mosha e tyre të konfirmohet nga tre të rritur që i kanë profilet e tyre në Instagram.

Për t’i identifikuar vitet përmes selfieve, Meta do t’i përdorë shërbimet e kompanisë britanike Yoti. Teknologjia e tyre e bazuar në inteligjencën artificiale mund ta përcaktojë moshën e një personi me saktësi të konsiderueshme bazuar në fotot dhe videot e tyre. Sipas hulumtimeve të mëparshme, gabimi i moshës për fëmijët nga 6 deri në 12 vjeç është vetëm 1.36 vjeç, ndërsa për të rinjtë nga 13 deri në 19 vjeç është 1.52 vjeç.

Pra, teknologjia duhet ta bëjë punën e saj me mjaft saktësi dhe precizitet, dhe pas njohjes së viteve, të dyja kompanitë do t’a fshijnë selfie-n e regjistruar. Meta thekson veçanërisht se këtu nuk bëhet fjalë për njohjen e identitetit të njerëzve, por vetëm për një analizë në bazë të së cilës përcaktohet mosha e njerëzve.

Metodat e reja, thotë Meta, duhet t’u mundësojnë përdoruesve të mitur t’u tregohet përmbajtje e përshtatshme për moshën e tyre dhe në këtë mënyrë t’i mbrojnë ata nga përmbajtjet që mund të jenë të dëmshme për ta.

Përveç kësaj, Instagram ka prezantuar më parë mjete të reja me të cilat prindërit dhe kujdestarët mund ta monitorojnë sjelljen e të miturve në këtë rrjet social dhe të vendosin kufizime përdorimi. Gjithashtu, nëse shikojnë shumë përmbajtje të ngjashme në Instagram, vetë platforma do t’i inkurajojë ata të “pikturojnë” pak dhe të shikojnë lloje të tjera të përmbajtjes, ose ta bëjnë një pushim nga rrjeti nëse e teprojnë me “shfletim”./AP News