Mos shpërndani gjithçka në rrjetet sociale? Mund të sanksionoheni

Facebook bëri të ditur të mërkurën se do të ndërmarrë veprime “më të forta” kundër atyre përdoruesëve të cilët në vazhdimësi ndajnë informacione të pasakta në këtë platformë.

Facebook do ta reduktojë shpërndarjen e të gjitha postimeve në faqen e lajmeve në rast se përdoruesi shpërndan shumë shpesh përmbajtje që rezulton të jetë e rreme dhe është verifikuar nga një prej kompanive partnere për verifikimin e fakteve, raporton portali amerikan mbi teknologjinë, The Verge

Facebook gjithashtu shton se ai ka iniciuar mënyra për të informuar njerëzit nëse ata janë duke përdorur përmbajtje që është vlerësuar nga kontrollimi i fakteve.

Numri i pretendimeve të pasakta dhe teorive të konspiracionit është rritur ndjeshëm në platformat e mediave sociale, përfshirë Facebook dhe Twitter, gjatë pandemisë Covid-19.

“Pavarësisht nëse është përmbajtje e pasaktë ose mashtruese në lidhje me Covid-19 dhe vaksinat, ndryshimet klimatike, zgjedhjet ose tema të tjera, ne do të sigurojmë që sa më pak njerëz të shohin informacione të rreme në aplikacionet tona,” tha kjo kompani përmes  një deklarate.

Në fillim të këtij viti, Facebook raportoi se ka larguar 1.3 miliardë llogari të rreme midis muajve tetor dhe dhjetor, paraprakisht pas një inspektimi të bërë nga Komiteti i Energjisë dhe Tregtisë i SHBA për të përcaktuar se si platformat teknologjike e  luftojnë informacionin e pasaktë.  

 

Përkthimi: Nuhi Shala