"Modaliteti i bllokimit” i Apple - i lufton viruset në iPhone, iPad dhe Mac

Apple planifikon ta lansojë një veçori të re të quajtur “Modaliteti i bllokimit” (Lockdown Mode) që synon ta shtojë një mënyrë të re mbrojtjeje për avokuesit e të drejtave të njeriut, disidentët politikë dhe objektivët e tjerë të sulmeve të sofistikuara hakerimi.

Njoftimi, i bërë të mërkurën, vjen pasi të paktën dy kompani izraelite shfrytëzuan të metat në softuerin e Apple për të depërtuar nga distanca në iPhone pa pasur nevojë që objektivi të klikojë ose të prekë ndonjë gjë.

NSO Group, prodhuesi i softuerit “Pegasus” që mund të kryejë sulme të tilla, është paditur nga Apple dhe është vendosur në listën e zezë tregtare nga zyrtarët amerikanë.

“Modaliteti i bllokimit” do të vijë në iPhone, iPad dhe Mac të Apple këtë vjeshtë dhe aktivizimi i tij do ta bllokojë shumicën e bashkëngjitjeve të dërguara në aplikacionin Messages të iPhone.

“Ndërkohë që shumica dërrmuese e përdoruesve nuk do të jenë kurrë viktima të sulmeve kibernetike shumë të targetuara, ne do të punojmë pa u lodhur për ta mbrojtur numrin e vogël të përdoruesve që janë”, tha Ivan Krstiq, udhëheqësi i Inxhinierisë së Sigurisë dhe Arkitekturës në Apple.

“Kjo përfshin vazhdimin e dizajnimit të mbrojtjeve posaçërisht për këta përdorues, si dhe mbështetjen e studiuesve dhe organizatave në mbarë botën që bëjnë punë jashtëzakonisht të rëndësishme në ekspozimin e kompanive mercenare që krijojnë këto sulme dixhitale”.

Çfarë do të bëjë “Modaliteti i bllokimit”?

Modaliteti i bllokimit do të bllokojë lloje të ndryshme të bashkëngjitjeve të mesazheve, do të çaktivizojë pamjet paraprake të lidhjeve, do të çaktivizojë disa teknologji të shfletimit në internet, do t’i bllokojë ftesat dhe telefonatat FaceTime nga burime të panjohura dhe do t’a çaktivizojë konfigurimin e profileve të reja të konfigurimit ose regjistrimin në menaxhimin e pajisjes celulare (MDM).

Modaliteti i ri do t’i bllokojë gjithashtu lidhjet me tela me iPhone kur ato janë të kyçura. Kompania izraelite Cellebrite ka përdorur lidhje të tilla manuale për t’u futur në iPhone, ndërsa studiuesit e sigurisë besojnë se NSO Group ka shfrytëzuar një mangwsi në mënyrën se si Apple i ka trajtuar bashkëngjitjet e mesazheve.

Përfaqësuesit e Apple thanë se ata besojnë se sulmet e sofistikuara që funksioni i ri është krijuar për të luftuar – të quajtura teknika hakerimi “zero-click” – janë ende relativisht të rralla dhe se shumica e përdoruesve nuk do të kenë nevojë të aktivizojnë modalitetin e ri.

Kompanitë spyware kanë argumentuar se shesin teknologji me fuqi të lartë për t’i ndihmuar qeveritë t’i pengojnë kërcënimet e sigurisë kombëtare. Por grupet e të drejtave të njeriut dhe gazetarët kanë dokumentuar në mënyrë të përsëritur përdorimin e spyware për ta sulmuar shoqërinë civile, për ta minuar opozitën politike dhe për të ndërhyrë në zgjedhje.

Për të ndihmuar në forcimin e veçorisë së re, Apple tha se do të paguajë deri në 2 milionë dollarë për çdo defekt që studiuesit e sigurisë mund ta gjejnë në modalitetin e ri, për të cilin përfaqësuesit e Apple thanë se ishte “shpërblimi më i lartë i gabimeve” i ofruar në industri.

Apple ka thënë gjithashtu se po jep një grant prej 10 milionë dollarësh plus çdo të ardhur të mundshme nga padia e saj kundër NSO Group, për grupet që gjejnë, ekspozojnë dhe punojnë për ta parandaluar hakerimin e targetuar.

Apple tha se granti do të shkojë për fondin e dinjitetit dhe drejtësisë i krijuar nga Fondacioni Ford, një nga fondacionet më të mëdha private në Shtetet e Bashkuara./Euronews