Mjetet produktive të Google së shpejti do t’i marrin një sërë përditësimesh shumë të dobishme

Kompania Google ka prezantuar veçori që do të sjellin një sërë përfitimesh ndërvepruese për platformat Meet, Docs, Spaces, Sheets dhe Slides.

Google i ka bërë publike disa përmirësime për Workspace që kanë si synim bashkëpunimin virtual. E para dhe ndoshta më argëtuesja prej tyre janë reagimet ndaj emoji-ve në Google Meet që do të shfaqen në video-korniza ose në një listë përgjatë skajit të ekranit.

Funksioni që vjen në muajin prill është një mjet i dobishëm që i lejon përdoruesit ta shprehin një mendim pa pasur nevojë të hyjnë në një diskutim. Kompania po prezanton gjithashtu një veçori foto-në-foto në platformën Meet – një mjet që ju lejon t’i shikoni bisedat pa qëndruar në kartën aktive Meeta. Funksioni do të arrijë në muajin prill dhe do të funksionojë vetëm në Chrome.

Platformat Google Docs, Sheets dhe Slides së shpejti do ta marrin funksionin e futjes së video-telefonatave nga Meet dhe është paralajmëruar mundësia e transferimit të platformës Meet në YouTube, e cila megjithatë vjen vetëm pas disa muajsh. Transmetimi i bisedave në YouTube do të ofrohet në paketat Enterprise Standard, Enterprise Plus, Education Plus dhe Teaching & Learning Upgrade.

Kompania gjithashtu planifikon t’u ofrojë të gjithë përdoruesve enkriptim opsional në të dy skajet, ndërsa kriptimi nga ana e klientit do të jetë i disponueshëm për Business Plus, Enterprise Plus dhe Education Plus.

Google po prezanton gjithashtu disa përmirësime në mjetin e tyre të bashkëpunimit Spaces – duke rritur numrin maksimal të anëtarëve të ekipit në 8,000, si dhe mundësinë për t’i ndarë bisedat në diskutime më të vogla të veçanta. Më shumë informacion rreth përditësimeve të reja mund të gjenden në blogun zyrtar të Google./Google

Përgatiti: Nuhi Shala