Meta prezanton opsione të reja për përmirësimin e përdorimit të Instagramit

Javën e kaluar, Instagram i bëri të ditura opsionet e reja që duhet ta mundësojnë menaxhimin më të mirë të përmbajtjes që u shfaqet përdoruesve dhe ta mundësojë heshtjen e njoftimeve. Ndryshimi i parë, mësohet se ka qenë për shkak të presionit në platformë për mënyrën se si rrjeti i prek adoleshentët, i cili u zbulua falë denoncuesit dhe ish-punonjësit të kompanisë Frances Haugen.

Ky opsion do t’i lejojë përdoruesit t’i fshehin të gjitha postimet me terma të caktuar që ata nuk duan t’u shfaqen – për shembull, ato që përmbajnë termat “dietë”, “humbje peshe” dhe të ngjashme, pasi postime të tilla shpesh kanë një efekt negativ mbi ta. Përpos turpit për pamjen e jashtme (që përkeqëson gjendjen mendore të të rinjve), postime të tilla mund të përmbajnë edhe këshilla kërcënuese për shëndetin.

Siç tregoi raporti i Haugen, deri në dy të tretat e vajzave adoleshente që nuk ndihen rehat në trupin e tyre ndihen edhe më keq pas përdorimit të Instagramit, me disa prej tyre që kanë edhe mendime vetëvrasëse.

Në vitin 2021, Instagram i prezantoi kontrollet prindërore për këtë platformë dhe ato gjithashtu mundësuan filtrimin e mesazheve private me një listë të përmbajtjeve potencialisht të rrezikshme. Tani ky opsion është zgjeruar në vetë furnizimin dhe përdoruesve nuk do t’u shfaqet përmbajtje që nuk u pëlqen për një arsye të caktuar ose që mund të jetë e rrezikshme për ta.

Një tjetër opsion është i ashtuquajturi “modaliteti i heshtur”, domethënë një mënyrë funksionimi në heshtje, aktivizimi i të cilit do ta çaktivizojë shfaqjen e njoftimeve nga Instagrami, si dhe mesazhet private, dhe dërguesi i mesazhit do ta marrë një njoftim automatik në lidhje me modalitetin e aktivizuar të heshtjes. Vetë Instagrami do t’u dërgojë njoftime përdoruesve që kalojnë shumë kohë brenda aplikacionit se është koha për ta çaktivizuar Instagramin, duke u fokusuar kryesisht tek adoleshentët.

Siç njoftuan në blogun zyrtar të Meta, opsioni i modalitetit të heshtur në Instagram tashmë është i disponueshëm në disa tregje – në SHBA, Britaninë e Madhe, Irlandë, Kanada, Australi dhe Zelandën e Re dhe shpresojnë që së shpejti të jetë i disponueshëm edhe në tregje të tjera gjithashtu./Meta