'Meta' prezanton abonim mujor me pagesë për verifikimin e llogarisë

Mark Zuckerberg, pronari i Meta (Facebook, Instagram), njoftoi të dielën se po e prezanton “Meta Verified”, një abonim 11,99 dollarësh në muaj për t’i verifikuar llogaritë në platforma ndërkohë që gjigandi i mediave sociale po kalon një krizë financiare.

Meta Verified, i cili fillimisht do të jetë i disponueshëm në Australi dhe Zelandën e Re këtë javë, është i ngjashëm me sistemin e prezantuar nga Elon Musk në Twitter, me shërbime të verifikimit të identitetit dhe përfitime të tilla si “qasja e drejtpërdrejtë në shërbimin ndaj klientit”.

“Ideja ishte të përmirësonim besueshmërinë dhe sigurinë e shërbimeve tona” – ka deklaruar Mark Zuckerberg në një mesazh në Instagram dhe Facebook.

Abonentët do të pranojnë një distinktiv në Facebook dhe Instagram që tregon se identiteti i tyre është verifikuar, mbrojtje për llogarinë e tyre (kundër vjedhjes së identitetit), qasje në shërbimin ndaj klientit dhe shikueshmëri më të madhe, tha një zëdhënës i Metës.

Abonimi është i destinuar për individë mbi moshën 18 vjeç, por jo për llogaritë e kompanisë.

Përdoruesit do të paguajnë 11,99 dollarë në muaj për Meta Verified në ueb dhe 14,99 dollarë në muaj në iOS dhe Android./Dnevnik.hr