Meta kërcënon me largimin e përmbajtjes së lajmeve në SHBA nëse miratohet ligji i ri

Facebook po paralajmëron se mund t’i ndalojë tërësisht lajmet nga platforma e tij në SHBA nëse Kongresi e miraton një projektligj përmes të cilit do të kërkohej që rrjeti social të negociojë me botuesit dhe t’i kompensojë ata për përmbajtjen e tyre.

Andy Stone, Shefi i komunikimeve politike të Meta-s, tha në një postim në Twitter se Facebook do të detyrohej ta konsideronte heqjen e lajmeve nga Facebooku nëse miratohet Akti i Konkurrencës dhe Ruajtjes së Gazetarisë (JCPA). Facebook ka kërcënuar më parë se do t’i bllokojë lajmet në Kanada dhe Australi, kur ligje të ngjashme u propozuan atje.

E prezantuar vitin e kaluar me mbështetjen dypartiake, JCPA do t’i lejonte botuesit të negocionin me platforma si Facebook dhe Google mbi shpërndarjen e përmbajtjes së tyre. Kjo duhet t’u japë botuesve të lajmeve ndikim mbi Big Tech dhe mund të kërkojë që Facebook të paguajë për të përfshirë lajmet në platformën e tij, diçka që Facebook e ka luftuar fort në vende të tjera në të kaluarën.

Në rast se Kongresi e miraton një projektligj të keq-këshilluar të gazetarisë si pjesë e legjislacionit të sigurisë kombëtare, ne do të detyrohemi ta konsiderojmë heqjen e lajmeve nga platforma jonë tërësisht në vend që t’i nënshtrohemi negociatave të sanksionuara nga qeveria që e mohojnë padrejtësisht çdo vlerë që ne u ofrojmë mediave nëpërmjet rritjes së trafikut dhe abonimeve. Ligji për konkurrencën dhe ruajtjen e gazetarisë nuk njeh një fakt kyç: vetë botuesit dhe stacionet televizive e ngarkojnë përmbajtjen e tyre në platformën tonë sepse u sjell dobi atyre – jo anasjelltas, shkruan Stone.

Në shkurt të vitit 2021, Facebook i tërhoqi lajmet nga platforma e tij në Australi për shkak të ligjeve të ngjashme dhe madje i hoqi faqet që i përkisnin agjencive qeveritare. Ndërkohë që lajmi u tërhoq më vonë kur ligji australian u ndryshua, Wall Street Journal raportoi se kompania mund të ketë zbatuar qëllimisht ndalimin kaotik, në mënyrë që të fitojë ndryshime të favorshme. Versioni i ndryshuar i ligjit u jep botuesve dhe platformave dy muaj kohë për të arritur një marrëveshje, ose përndryshe të detyrohen në arbitrazh.

Facebook bëri një kërcënim të ngjashëm në përgjigje të Aktit të Lajmeve Online të Kanadasë, i cili gjithashtu do të kërkonte që platforma t’i paguante botuesit për t’i ndarë lajmet.

Komiteti Gjyqësor i Senatit e miratoi Aktin e Konkurrencës dhe Ruajtjes së Gazetarisë në shtator të vitit 2022, me një votim 15-7, por ai ende duhet të kalojë Senatin e plotë. Facebook nuk është i vetmi ent që e kundërshton projektligjin. Një total prej 26 organizatash, duke përfshirë Public Knowledge dhe Electronic Frontier Foundation, u kanë shkruar një letër ligjvënësve për mbrojtje kundër projektligjit. Nga ana tjetër, një aleancë e madhe e organizatave botuese amerikane ka dalë në mbështetje të këtij projektligji.

Mbyllja e lajmeve në një nga tregjet më të mëdha të Facebook do të ishte një përshkallëzim dramatik, mirëpo platforma e Meta-s ka dëshmuar se është e gatshme t’i përdorë taktikat e “tokës së djegur” për t’i ndaluar ligjet e pagesës për lajmet në të gjithë botën./The Verge

Përgatiti: Nuhi Shala