Më shumë se 20,000 punonjës janë larguar nga fabrika e furnizuesit më të madh të Apple

Më shumë se 20,000 punonjës, shumica prej tyre të punësuar të rinj që nuk kanë punuar ende në një linjë prodhimi, janë larguar nga fabrika e furnizuesit të Apple Foxconn në Zhengzhou, Kinë, ka thënë një burim i Foxconn për Reuters.

I njëjti burim ka shtuar se këto largime do ta komplikojnë objektivin e mëparshëm të kompanisë për ta vazhduar prodhimin e plotë deri në fund të nëntorit. Gjithçka po ndodh pas trazirave të punës që tronditën prodhimin në fabrikën më të madhe në botë të iPhone. Foxconn nuk pranoi të komentojë mbi këto pretendime.

Këto largime erdhën pasi kompania e lartcekur të enjten ofroi 10,000 juanë (1,396 dollarë) për punonjësit që donin të dorëhiqeshin dhe të largoheshin nga fabrika e goditur nga kaosi.

Trazirat e punëtorëve në një fabrikë në Zhengzhou që filluan të mërkurën shënuan skena të rralla të protestave të hapura në Kinë, të nxitura nga pretendimet për vonesa të pagave dhe zhgënjimi për kufizimet e rënda për shkak të masave andi-COVID 19.

Një tjetër burim i Foxconn i njohur me këtë çështje tha se disa punonjës të rinj janë larguar nga kampusi, por nuk sqaroi se sa është numri i tyre. Burimi i lartcekur vuri në dukje se prodhimi aktual nuk është prekur nga largimet, pasi stafi i ri duhet të kalojë ende kurse trajnimi përpara se të fillojë të punojë në rrjet.

Trazirat vijnë në një kohë kur Kina po sheh një numër të lartë të infeksioneve COVID-19 dhe po përballet me gjithnjë e më shumë karantina që kanë nxitur zhgënjimin e qytetarëve në të gjithë Kinën.Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala