"Twitter" planifikon mbylljen e aplikacionit "Periscope"

Twitter ka në plan të mbyll aplikacionin e tij të transmetimit të drejtpërdrejtë të videos deri në mars 2021. 

Twitter e kishte blerë aplikacionin ‘Periscope’ në janar të vitit 2015 në një marrëveshje që thuhet se kishte vlerën e 100 milion dollarëve, me shpresën se videoja personale e transmetimit të drejtpërdrejtë do të plotësonte platformën e saj të mediave sociale.

Në një postim tjetër pas këtij njoftimi, Twitter tha se përdorimi i këtij aplikacioni ka qenë në rënie gjatë disa viteve të fundit, dhe ka ardhur deri në pikën ku është bërë shumë e kushtueshme për të mirëmbajtur këtë aplikacion.

Ndërkohë, Twitter i ka integruar aftësitë e transmetimit të drejtpërdrejtë të aplikacionit në platformën e saj, të cilën e prezantoi për herë të parë në vjeshtën e vitit 2016. Përdoruesit mund të transmetojnë video të drejtpërdrejta në Twitter duke përdorur funksionin Twitter Live atëherë kur krijojnë një mesazh.

Twitter tha se do të largojë Periscope nga dyqanet e aplikacioneve deri në mars 2021 dhe se tashmë po bllokon çdo regjistrim të llogarive të reja duke filluar nga sot.